Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons
Raporti i Progresit për Kosovën: Cilësia e kujdesit shëndetësor mbetet shqetësuese
Raporti i Progresit i Komisionit Europian për Kosovën ka theksuar se zbatimi i reformave të nisura në sektorin e shëndetësisë në Kosovë ka qenë i ngadaltë ndërsa cilësia e kujdesit shëndetësor mbetet shqetësues.
Pavarësisht përmirësimeve, Raporti ka theksuar se jetëgjatësia në lindje mbetet më e ulët se mesatarja e BE-së ndërsa vdekshmëria foshnjore ka rënë, por mbetet më e larta në rajon dhe dukshëm më e lartë se mesatarja e BE-së.
Raporti thotë se sëmundjet jo ngjitëse janë shkaku kryesor i vdekjes në Kosovë por thekson se veprimet për të zvogëluar faktorët e rrezikut ndaj këtyre sëmundjeve janë të pakta.
Sa i përket ligjit për kontrollin e duhanit Raporti i Progresit ka vlerësuar se ende nuk zbatohet plotësisht.
Shërbimet e shëndetit mendor mbeten të integruara, thotë raporti duke theksuar se Kosova është aktualisht në proces të rishikimit të Ligjit për shëndetin mendor për ta përafruar atë më mirë me atë Bashkimit Europian.
Kosova ka arritur mbulim prej 85% për vaksinën e re kundër Virusit të Papillomës Njerëzore (HPV) midis grupit të parë.
Raporti i Progresit ka nënvizuar se nuk ka pasur zhvillime në uljen e përdorimit të dëmshëm të alkoolit, në abuzimin dhe parandalimin e drogës.
Sa i përket programit të shqyrtimit të kancerit, Raporti ka thënë se nuk kryhet në mënyrë sistematike në Kosovë.
“Pabarazitë në shëndetësi vazhdojnë të mbeten një shqetësim serioz. Barra financiare ka qenë veçanërisht e vështirë për segmentet e cenueshme dhe të varfra të shoqërisë, duke përfshirë njerëzit me sëmundje kronike”- thuhet në raport.
https://kallxo.com/lajm/shefi-i-zyres-se-be-se-ne-kosove-na-duhen-partnere-nje-qeveri-me-shumice-te-fuqishme-ne-kuvend/