Rama në Samitin Ndërkombëtar të Qyteteve Evropiane dhe Arabe: Prishtina u shfaq si një qytet inspirues dhe model për reformim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama më 06.06.2025 ka njoftuar se është pritur në takim nga Princi Dr. Faisal bin Abdulaziz bin Ayyaf, princ i Riadit, në kuadër të “Samitit Ndërkombëtar të Qyteteve Evropiane dhe Arabe”.
Ai ka njoftuar se Prishtina ishte një nga kryeqytetet pjesëmarrëse në këtë samit dhe sipas Ramës, u shfaq si një qytet jashtëzakonisht inspirues dhe model për reformim.
“Jam veçanërisht i lumtur që Prishtina po perceptohet gjithnjë e më shumë si një model për qasjen e re në konceptualizimin e qyteteve të zhvilluara, me një imazh gjithnjë më pozitiv në kulturë, art dhe – tashmë – edhe në diplomacinë urbane. Po pozicionohemi qartë në hartën globale si një aktor i rëndësishëm, dhe kjo është një arritje që na nderon”- ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se bashkëpunimet ndërkombëtare jo vetëm që e zgjerojnë vizionin, por gjithashtu sigurojnë që qytetarët e kryeqytetit të kenë qasje më të madhe në zhvillim, hapje dhe ndërkombëtarizim – ashtu siç e meritojnë.