Foto: Denis Sllovinja
Qeveria gjermane aprovon draftligjin për stimulimin e punës pas pensionimit
Kabineti i Gjermanisë ka aprovuar të mërkurën (15.10.2025) një projektligj për të stimuluar punën pas daljes në pension duke ua lejuar atyre që punojnë të fitojnë deri në dy mijë euro në muaj pa taksa, në përpjekje që të sfidojë mungesën e fuqisë punëtore në ekonominë më të madhe të Europës, raporton Reuters
Ndryshimi do të fuqizohet në fillim të vitit 2026 dhe pritet t’i kushtojë shtetit 890 milionë euro në vit në të ardhura të humbura nga taksat nga viti 2026 deri në vitin 2030, sipas draftit të parë të ligjit që Reuters e ka siguruar javën e kaluar.
Në vitin 2030, popullsia punëtore e Gjermanisë ndoshta do të ulet për 6.3 milionë persona krahasuar me vitin 2010, thuhet në një raport demografik të Ministrisë së Brendshme. Kjo do të ulë produktin e brendshëm bruto (PBB) për person, pasi do të ketë më pak punëtorë për secilin pensionist.
Masat gjermane për t’i inkurajuar punëtorët që të dalin në pension më vonë po merren në kohën kur qeveritë në krejt Europën po priren drejt reformave të sistemeve pensionale për adresimin e mungesës së punëtorëve dhe për lehtësimin e barrës në sistemet e tyre të pensioneve.
Megjithatë, është një temë politikisht polarizuese që mund të ketë një kosto të lartë politike për qeveritë, siç shihet në Francë. Kryeministri francez, Sebastien Lecornu, ka pezulluar të martën reformën historike të pensioneve të vitit 2023 deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, duke iu nënshtruar presionit të deputetëve majtistë që kishin kërkuar veprime të ngjashme për të siguruar mbijetesën e tij politike.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com