Miratimi i buxhetit nga qeveria në detyrë, Bajrami: Prokuroria ka mundur ta ndalë këtë maskaradë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklarimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për rritjen e pensioneve, shtesave për fëmijë dhe rritjen e pagës minimale për sektorin privat.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bajrami ka thënë se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, që sipas saj, ka uzurpuar zyret e Qeverisë, ka aprovuar buxhetin për vitin 2026.
Ajo ka shkruar se ka mundësi që buxheti i vitit 2026 të shkojë në 8 miliardë e pagat e pensionet të rriten disa fish “në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve”.
“Ka mundësi që buxheti i vitit 2026 të shkojë në 8 miliardë e pagat e pensionet të rriten disa fish në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Shtetin po e çojnë drejt rrënimit. Prokuroria Speciale ka mundur ta ndalë këtë maskaradë. Tash, duhet ta ndalim me votë. E, do ta ndalim me vote” – ka shkruar Bajrami.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot me me 31.10.2025 në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, ka njoftuar se nga muaji nëntor do të ketë rritje të pensioneve dhe shtesave për fëmijë.
Kurti tha se pensioni nga 120 euro do të behët 150 euro ndërsa shtesat për të gjithë fëmijët nga 0-16 vjeç do të rriten për 50%.
“Pensioni minimal nga 120 euro do të bëhet 150 euro, duke filluar nga muaji nëntor i cili fillon nesër. Kjo rritje prek 200 mijë pensionist në kategori të pensioneve bazike, për personat me aftësi të kufizuar, për të rritur, për fëmijë, pensionin invalidor të punës, Nga muaji nëntor shtesat për të gjithë fëmijët 0-16 vjeç do të rriten për 50%, pra një nënë më dy fëmijë do ti marrë 60 euro”- tha ai.
Përveç rritjes së pensioneve dhe shtesave, Qeveria në detyrë miratoi edhe rritjen e pagës minimale për punëtorët e sektorit privat.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se rritja e pagës minimale do të bëhet në dy faza. Faza e parë me 1 janar 2026, do të arrijë në 425 euro, ndërsa nga 1 korriku 2026 do të shkojë në 500 euro, nga 350 sa ka qenë deri më tash paga minimale.
https://kallxo.com/lajm/kurti-nga-nentori-rriten-pensionet-dhe-shtesat-per-femije/
Në këtë mbledhje Qeveria në detyrë po ashtu miratoi edhe Buxhetin për vitin 2026, që sipas Kurtit, arrin në 4 miliardë euro.
https://kallxo.com/lajm/qeveria-ne-detyre-miraton-projektligjin-per-buxhetin-e-vitit-2026/