Presidentja Osmani pret në takim shefen e Komisionit Europian, Von der Leyen
Me shtrëngime duarsh, nisi vizita zyrtare në Kosovë e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Në destinacionin e saj të parë, në Presidencë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e priti në takim shefen e Komisionit Europian.
Pas saj, kjo e fundit do të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti në po të njëjtin objekt, mirëpo në institucionin e Kuvendit të Kosovës, e jo në Qeveri.
Gjatës ardhjes së saj për në institucionet qendrore, rrugët afër Kuvendit në Prishtinë, patën ndërprerje trafiku nga Policia e Kosovës, për t’i hapur rrugës eskortës së saj.
Ndërkaq nuk është paralajmëruar se do të mbahet konferencë për media pas asnjërit takim.
Von der Leyen vizitoi Kosovën edhe vitin e kaluar. Sivjet, para Kosovës, ajo qëndroi në Serbi.
Atje, von der Leyen tha se tani është momenti i duhur për Serbinë që të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE.
“Pika e parë është që duhet të shohim përparim në fushat e sundimit të ligjit, mediave elektronike dhe ligjeve për zgjedhjet. E di që këto reforma nuk janë të lehta, të gjithë segmentet e shoqërisë dhe spektri politik duhet të jenë të përfshirë në to”- tha von der Leyen në një konferencë për media në Pallatin Serbia në Beograd.
Ajo i bëri një ftesë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “rreth një muaj nga tani” të shkojë në Bruksel për të shqyrtuar situatën në lidhje me reformat.
Ursula von der Leyen theksoi se BE pret një nivel më të lartë të përshtatjes së Serbisë me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
“Duhet t’ju falënderoj sepse keni përshtatur 61 për qind të politikës suaj të brendshme me tonën, por duhet të arrijmë më shumë. Ne duam të mbështetemi te Serbia si një partnere e besueshëm”- tha ajo.
Turin në Ballkanin Perëndimor ajo e ka nisur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ku u mbajt Forumi për Investime BE-Ballkani Perëndimor më 13 dhe 14 tetor.
Po ashtu, ajo do ta vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, për t’u takuar me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite që nga vendosja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, ato mbeten ende në fuqi. Disa masa kanë filluar të hiqen, por numri i tyre mbetet i kufizuar. Siç tha një zëdhënës i BE-së për KALLXO.com, deri më tani “janë ndërmarrë hapat e parë për heqjen e disa masave.”
Masat ndaj Kosovës u vendosen në qershor të vitit 2023 si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Së fundmi, von der Leyen, i ka mbijetuar me lehtësi dy mocioneve të votëbesimit në Parlamentin Europian, pasi deputetët kundërshtuan përpjekjet e grupeve të ekstremit të djathtë dhe të majtë për ta shkarkuar atë.
Ajo e fitoi votëbesimin e ligjvënësve të BE-së në Parlamentin me 720 ulëse. Von der Leyen e mori mbështetjen e 378 ligjvënësve në votimin e parë, si dhe të 383 të tjerëve në të dytin.