Presidentja Vjosa Osmani në Tiranë në Samitin e Komunitetit Politik Europian/ Foto: Kallxo.com
Presidentja Osmani përsërit kërkesën për heqjen e masave ndaj Kosovës nga ana e BE-së
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pret që gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian të ketë fokus më të madh ndaj çështjes së Kosovës.
“Nuk kam shpresa të mëdha, sepse zakonisht ka shumë fjalë të bukura, mirëpo realiteti është që Republika e Kosovës është shtet që është linjëzuar me politikat e Sigurisë dhe të Jashtme me BE-në, por ne jemi ende nën masa.” – tha Osmani për mediat e Kosovës, më 16.05.2025.
Osmani tha se edhe ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së Joseph Borrel ka konstatuar që Kosova ka përmbushur kërkesat që të hiqen masat, por për fat të keq për disa arsyetime politike të shteteve anëtare ato janë ende në fuqi.
Ndërsa, sa i përket Dialogut Kosovës-Serbi ajo tha se “më parë duhet të flasim për heqjen e masave ndaj Kosovës”, pasi sipas saj kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së.
“Kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës me liderët e BE-së, do të kërkoj edhe sot, sepse kjo do t’i jepte kredibilitet Dialogut. Por, Kosova është gjithnjë e gatshme që të marrë pjesë në këtë proces.” – është shprehur Osmani.
Tirana është nikoqire e Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian, ku liderë, Kryetarë shtetesh dhe Qeverish nga vendet europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore europiane dhe ndërkombëtare do të mblidhen në Sheshin “Skënderbeu”, për të diskutuar çështjet më të rëndësishme për kontinentin.
Ngjarja bashkë-organizohet nga presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Një ditë më parë Costa qëndroi në Kosovë, ku zhvilloi takime me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurtin.
Në këtë Samit ndër më të mëdhenjtë të organizuar ndonjëherë në Kryeqytetin shqiptar Kosova po përfaqësohet në nivel presidencial nga presidentja, Vjosa Osmani.
Nën moton: “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, Samiti synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane për siguri, demokraci dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në këtë takim të nivelit të lartë, sipas Njoftimit të Këshilllit Europian, Bashkimi Europian përfaqësohet edhe nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesja e lartë për Punë të Jashtme Kaja Kallas.
https://kallxo.com/lajm/tirana-mbledh-47-lidere-per-samitin-e-gjashte-te-komunitetit-politik-europian/