Foto: Reuters
Perëndimi nuk po përdor “sanksionet kritike që do ta zmbrapsin makinerinë luftarake të Rusisë”
Një grup amerikan ka identifikuar disa sanksione të paspikatura më parë, por potencialisht kritike, që sipas tij mund të pengojnë seriozisht përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë, pas sanksioneve të muajit të kaluar që për cak kishin firmat më të mëdha të naftës së Kremlinit, ka raportuar të enjten (27.11.2025) gazeta britanike, “The Guardian”.
Raundet e mëparshme të sanksioneve janë vendosur kundër kompanive ruse të energjisë, bankave, furnizuesve ushtarakë dhe “flotës në hije” të anijeve që transportojnë naftën ruse.
Por Dekleptocracy, grup i shoqërisë civile që hulumton ekonominë e luftës së Rusisë, thotë se kimikatet e përdorura për prodhimin e lubrifikantëve mekanikë dhe të gomave të nivelit ushtarak janë dobësi që politikëbërësit e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së mund ta shfrytëzojnë.
Kristofer Harrison, presidenti i grupit dhe ish-ekspert i Departamentit të Shtetit për Rusinë, i ka përshkruar caqet si “të dobëta dhe specifike”, ndryshe nga mikroçipat dhe kompanitë e naftës që përgjithësisht tërheqin vëmendjen e qeverive dhe agjencive. Por ato vështirë se zëvendësohen dhe janë thelbësore për kapacitetin e Moskës që të nxjerrë tanke në fushëbeteja, vlerëson Dekleptocracy.
“Mungesa e lubrifikantëve do të dëmtonte rëndë makinën e luftës së Rusisë”, ka shkruar ai në raportin e tij të fundit.
Vetëm një numër i vogël kompanish në krejt botën prodhojnë aditivë kimikë për lubrifikantë mekanikë – vaj motori për tanke dhe makina. Pothuajse të gjithë ndaluan shitjen e kimikateve Rusisë në fillim të pushtimit në shkallë të plotë, duke shkaktuar mungesa të përhapura dhe ankesa nga shoferët.
Dekleptocracy ka spikatur se kompania kineze, Xinxiang Rich, tani plotëson një hise të madhe të kërkesës së Rusisë, duke e furnizuar deri në tetë milionë kilogramë në vit. Rich kohët e fundit ka hapur zyrë në Virxhinia në Shtetet e Bashkuara. Bllokimi i saj, si dhe i disa furnizuesve më të vegjël, do të shkaktonte mungesë lubrifikantësh mekanikë në Rusi, thotë grupi.
Xinxiang Richful nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës “The Guardian” për koment.
Dekleptocracy ka spikatur gjithashtu se Rusia ka pak kapacitete të brendshme për prodhimin përshpejtues të vullkanizimit dhe substancave të tjera të nevojshme për prodhim gomash të nevojave ushtarake.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar në një takim të G7-s javën e kaluar se shumica e opsioneve kryesore të sanksioneve tashmë janë zbatuar. “Epo, nuk ka mbetur shumë për të sanksionuar nga ana jonë, dua të them, ne i goditëm kompanitë e tyre kryesore të naftës, gjë që të gjithë e kanë kërkuar”, ka thënë ai.
Tom Keatinge, drejtori i qendrës së financave dhe sigurisë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, grupi kryesor i mendimit të mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se spikatjet e Dekleptocracy përbëjnë vlerë të dobishme dhe se janë provë se ende ka objektiva sanksionesh.
“Për aq kohë sa Rusia po siguron me sukses komponentët që i nevojiten për ushtrinë e saj dhe për aq kohë sa Rusia po shet me sukses naftën e saj, mjedisi mbetet i pasur me objektiva”, ka theksuar ai.
Rusia ka një industri të fortë nafte, por i mungojnë prodhuesit vendas të shumë kimikateve më pak të njohura, por të rëndësishme, duke përfshirë aditivët ushqimorë dhe substancat e përdorura për prodhim gomash, produkte farmaceutike dhe shampo. Moska ka nisur një iniciativë në fillimvit për prodhimin e qindra kimikateve brenda vendit – provë e mëtejshme se sektori përbën dobësi, thotë Dekeleptocracy.
“Ne shqyrtuam ekonominë ruse, disa nga gjërat që ata absolutisht kanë nevojë për të mbajtur në punë makinën e tyre të luftës”, ka thënë Harrison. “Ne shqyrtuam bazën e tyre prodhuese, bazën e tyre kimike, për të gjetur çështje kritike, gjërat që rusët nuk mund t’i prodhojnë vetë”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com