Konferenca "Një komunitet pa varësi". Foto: KALLXO.com
Përdorimi i drogave nga të miturit në rritje – kërkohet veprim urgjent
Në Qeverinë e Kosovës është mbajtur konferenca nacionale “Një komunitet pa varësi” me qëllimin që institucionet dhe shoqëria civile të bashkërendohen që të luftohet abuzimi dhe varësia me drogat në shoqërinë kosovare, me fokus tek fëmijët dhe të rinjtë.
Qeveritarët, përfaqësuesit e mekanizmave shëndetësorë dhe organizatat e shoqërisë civile, diskutuan për format se si mund të gjejnë zgjidhje për parandalimin e substancave narkotike, duke shpërfaqur shqetësim që është rritur numri i përdoruesve të substancave narkotike te moshat e reja.
Sipas të dhënave që u prezantuan në konferencë, vitet e fundit, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar për herë të parë shifrën prej 30,000, ku brenda kësaj shifre, fëmijët dhe adoleshentët zënë një pjesë më të madhe.
Bazuar në të dhënat e Qendrës për Këshillim të Varësisë ‘Labyrinth’, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjet në vitin 2018, në 16 vjet në periudhën e fundit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se beteja kundër varësisë ndaj substancave narkotike është e përbashkët dhe kërkon strategji gjithëpërfshirëse.
“Qeveria e Kosovës e ka të qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar e cila fillon nga parandalimi, vijon me edukimin edhe ndërgjegjësimin, ofron mbështetje psiko-sociale dhe shëndetësore, me qëllim të zvogëlimit të dëmit për ata që marrin drogë dhe garanton rehabilitim dhe riintegrim dinjitoz në shoqëri”- tha Kurti, në këtë konferencë të organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në partneritet me Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Trust Circle Foundation dhe Qendrën Labyrinth.
Kurti tha se si Qeveri janë të përkushtuar në zbatimin e strategjisë shtetërore kundër drogës 2024-2028.
Drejtori i fondacionit “Trust Circle Foundation”, Krenar Batusha, edhe pse e falënderoi Kurtin për fjalimin e tij dhe mbështetjen e dhënë, i kërkoi që si Qeveri të kenë më shumë empati në këtë çështje dhe t’i ipet prioritet.
“Pak më shumë empati, me parandalu këtë gjë. Nëse nuk mobilizohemi para se me pas pasoja më të mëdha… Nuk na duhen as rrugët, as banesat e as infrastruktura nëse fëmijët tanë përfundojnë në varësi- tha Batusha.
Edhe Remzije Krasniqi, presidente e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), shprehu shqetësimim se viteve të fundit fëmijët dhe të rinjtë janë ndër kazegoritë më të cenuara si përdorues të substancave narkotike.
“Fatkeqësisht, kjo kategori e fëmijëve shpesh është në hije për shkak të mungesës së plotë të qasjes në shërbime sociale, shëndetësore rehabilituese por edhe stigma e paragjykimi që e kanë jashtëzakonisht në shoqëri”- tha Krasniqi.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Faton Kutllovci, shprehu brengën që ka një të abuzimit me substanca psikoaktive në Kosovë.
Kutllovci tha se më të prekurit janë të rinjtë dhe adoleshentët e moshës 15-25 vjeç.
Ai tha se sipas të dhënave, ndër substancat më të përdorura janë kanabisi, kokaina, alkooli, qetësuesit dhe stimulantët.
“Ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të personave që abuzojnë me substanca psikoaktive janë ata familjarë, siç është mungesa e kujdesit prindëror, pastaj ai social duke përfshirë papunësinë”- shtoi ai.
Ai tha se faktorë të tjerë janë problemet ekonomike, depresioni dhe qasja e lehtë në substanca psikoaktive.
Safet Blakaj, drejtor në qendrën Labyrinth, tha shprehu shqetësimin për përdorimin e drogave nga fëmijët, për të cilën tha se të gjithë së bashku duhet të punojnë në parandalim dhe parandalimin e stigmatizimit të tyre.
Sipas tij, fëmijët nuk duhet të bartin pasojat e mosangazhimit të të rriturve për zgjidhjen e problemeve.
“Do të insistojmë që ky program që ka filluar tani për parandalimin gjeneral që të racionalizohet më mirë dhe që të jemi më serioz”- tha ai.
Kosova e ka një strategji shtetërore kundër drogave 2024-2028, e cil elaboron problemet me të cilat shoqëria e Kosovës ballafaqohet aktualisht në fushën e drogave duke filluar nga prezenca e drogës, kërkesa e rritur, dëmet që shkaktohen nga droga por edhe paraqet nevojën për ngritje të përgjithshme të kapaciteteve insitucionale.