Opozita fitoi Zgjedhjet në Grenlandë ku dominoi kërcënimi i Trumpit për aneksim
Partia opozitare probiznesit në Grenlandë i ka fituar Zgjedhjet e së martës në ishullin arktik, të përcjella nga afër për shkak të Zgjedhjeve të dominuara nga kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për aneksim dhe shtimi i thirrjeve të banorëve për pavarësim prej Danimarkës – raporton televizioni amerikan CNN.
Partia Demokraatik e qendrës së djathtë e cila bën fushatë për qasje më të ngadaltë për pavarësi po prin me 29.9% të votave – duke ia marrë anën partisë së majtë në pushtet, Inuit Ataqatigiit – kanë treguar rezultatet preliminare të Zgjedhjeve.
“Njerëzit duan ndryshim… ne duam më shumë biznes për të financuar mirëqenien tonë.” – ka deklaruar kryetari i Partisë Demokraatit, Jens-Frederik Nielsen, në një intervistë për Agjencinë Reuters pas publikimit të rezultateve të para. “Ne nuk e dimë pavarësinë nesër, ne duam një themel të fortë.”
Sivjet, ideja e Trumpit për aneksimin e territorit ka nxitur vëmendje ndërkombëtare për këto Zgjedhje dhe ka ngritur dilema për sigurinë e ardhshme të ishullit, derisa Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina po mundohen ta shtrijnë ndikimin dominues në Arktik.
Nielsen tani do të zhvillojë bisedime me partitë tjera në përpjekje që të formojë një Qeveri koalicioni.
Partia në pushtet, Inuit Ataqatigiit ka dalë e treta me 21.4%. Partneri tjetër i koalicionit majtist, Siumut ka dalë në vendin e katërt me 14.7%. Është një rënie e madhe krahasuar me Zgjedhjet e kaluara, kur bashkërisht kishin dy të tretat e votave.
Kryeministri në detyrë, Mute Egede ka thënë se në një deklaratë të shkruar se respekton rezultatin dhe mezi pret të shohë se çfarë do të ofrojnë partitë tjera për koalicion eventual. Partia e tij socialiste e kishte parë kaherë pavarësinë si projekt afatgjatë që kërkon negociata me Danimarkën dhe përmirësim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike.
Njëherësh një tjetër parti opozitare Naleraq, që bën fushatë për t’i ashpërsuar raportet me Danimarkën më shpejt, ka siguruar 24.5% të votave.
Të gjitha partitë dominuese në Grenlandë, territor autonom danez, i pasur me naftë dhe gaz, pajtohen rreth dëshirës për pavarësim nga Danimarka. Pothuajse në të gjitha Zgjedhjet, partitë premtojnë hapa për arritjen e autonomisë, por asnjëra prej tyre nuk ka ofruar ndonjë afat konkret.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com