Ministri i Biznesit: Zvicra mund ta rishikojë ofertën për tarifat e Trumpit
Qeveria zvicerane është e hapur për ta rishikuar ofertën e saj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si kundërpërgjigje ndaj tarifave të larta të planifikuara, ka thënë ministri i Biznesit, Guy Parmelin, derisa ekspertët kanë paralajmëruar se taksat prej 39 % për importet zvicerane, shpallur prej Donald Trumpit, do të mund të shkaktonin recesion në Zvicër, raporton Reuters.
Zvicra është shtangur të premten pas vendimit të Trumpit për ta goditur shtetin helvetik me tarifat më të larta sipas perspektivës së tij së tregtisë botërore, me shoqatat industriale zvicerane që kanë paralajmëruar se mund të humbin mijëra vende pune.
Kabineti qeveritar zvicerane do të mbajë të hënën një mbledhje speciale që t’i diskutojë hapat e ardhshëm, me Parmelinin që ka deklaruar për transmetuesin RTS se qeveria do të mund të lëvizte shpejt para se të nisë zbatimi i tarifave amerikane prej 7 gushtit.
“Ne duhet ta kuptojmë plotësisht çfarë ndodhi, pse presidenti amerikan mori atë vendim. Kur ta kemi këtë në tryezë, mund të vendosim si të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar Parmelin.
“Afati kohor është i shkurtër, mund të jetë e zorshme që të arrihet diçka deri më 7 gusht, por ne do të bëjmë çmos që të tregojmë vullnet të mirë dhe ta rishikojmë ofertën tonë”, ka theksuar ai.
Parmelin ka thënë se Trump është përqendruar në deficitin tregtar amerikan me Zvicrën, që kap vlerën e 38.5 miliardë frangave zvicerane vjet, me mundësinë e blerjes nga Zvicra të gazit lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër mundësi do të mund të ishte investimi i kompanive zvicerane në Shtetet e Bashkuara, tregu më i madh eksportues i ilaçeve, orëve të dorës dhe makinerisë zvicerane.
“Shikoni Bashkimin Europian, ata premtuan se do të blinin gaz të lëngshëm natyror. Zvicra importon LNG gjithashtu – mbase kjo është njëra prej rrugëve”, ka shtuar Parmelin.
Ai dhe presidentja zvicerane, Karin Keller-Sutter kanë shprehur gatishmëri që të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara nëse është e nevojshme të jenë pjesë e bisedimeve, ka thënë Parmelin.
Zvicra ka hedhur poshtë raportuar se tarifa më të larta se është pritur iu vendosën shtetit helvetik pas një bisede jo fort të këndshme telefonike ndërmjet Kelller-Sutterit dhe Trumpit në natën e vonshme të së enjtes.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com