Pamje nga aktivitetet e ‘Javës së arkivit të hapur’. Foto: Facebook/ASHAK.
Mbyllet "Java e arkivit të hapur", Agjencia Shtetërore e Arkivave numëron sukseset në 74-vjetorin e themelimit
Me rastin e 74-vjetorit të themelimit, Agjencia Shtetërore të Arkivave (ASHAK) për një javë rresht, nga 17 deri më 21.03.2025, ka mbajtur “Javën e arkivit të hapur”.
Për çdo ditë, publiku duke përfshirë edhe nxënës shkollash, kanë përcjellë nga afër aktivitetet e “Javës së arkivit të hapur” që kanë të bëjnë me mënyrat e trajtimit të materialeve arkivore.
Në ditën e dytë të “Javës së arkivit të hapur”, më 18.03.2025, përmes një workshopi, publiku është njohur me proceset kyçe të digjitalizimit të materialeve arkivore, dhe ruajtjen e dokumenteve.
Po në kuadër të kësaj jave është mbajtur edhe aktivitetit “Ruajtja e trashëgimisë dokumentare për brezat e ardhshëm”, përmes të cilit publiku është njoftuar me rëndësinë që ka restaurimi dhe konservimi i dokumenteve arkivore.
Kjo javë është mbyllur të premten, më 21.03.2025, me tryezën “Dita e hulumtuesve dhe studiuesve – Arkivat, thesar i dijes”.
Habibe Qovanaj, udhëheqëse e Divizionit për Zhvillimin dhe Administrimin e Veprimtarisë Hulumtuese Arkivore në ASHAK, ka thënë për KALLXO.com se “Java e arkivit të hapur” është një aktivitet që ka për synim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rolin dhe rëndësinë e arkivave në ruajtjen e kujtesës historike dhe kulturore të vendit.
Sipas saj, kjo Javë… synon gjithashtu të nxisë institucionet, qytetarët e interesuar, nxënësit, studentët e studiuesit të vizitojnë arkivin dhe të shohin për së afërmi të gjithë ciklin e trajtimit të materialit arkivor që nga pranimi, deponimi, restaurimi, digjitalizimi dhe ofrimi materialeve arkivore për shfrytëzim për nevoja të studiuesve dhe institucione të ndryshme.
Qovanaj ka thënë se gjatë gjithë javës (17-21 mars 2025), në intervalin kohor 09:00 – 15:00 u organizuan vizita edukative për nxënësit, studentët dhe qytetarët e interesuar, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me funksionimin e arkivave dhe rëndësinë e ruajtjes së dokumentacionit historik.
“Në total, gjatë kësaj jave, ambientet e punës në ASHAK u vizituan nga rreth 1,400 nxënës dhe studentë, të cilët patën mundësinë të njohin nga afër proceset e punës dhe rëndësinë e arkivave në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike. këtë vit dita e fundit u përmbyll me numër rekord mbi 580 vizitorë”- tha Qovanaj për KALLXO.com.
Qovanaj ka thënë se procesi i digjitalizimit të dokumenteve arkivore ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit.
“Deri në vitin 2024, numri i dokumenteve të digjitalizuara arriti në rreth 1,090,000. Vetëm gjatë vitit 2024, pas nisjes së projektit të digjitalizimit masiv, u digjitalizuan 2.5 milionë dokumente. Në tre muajt e parë të vitit 2025, këtij numri iu shtuan edhe 1 milion dokumente të tjera, duke e çuar totalin në afërsisht 5 milionë dokumente të digjitalizuara”- ka thënë ajo për KALLXO.com.
Ajo ka shtuar se arkivi ka digjitalizuar deri më tani: Dokumentet osmane, të Entit Krahinor për studim dhe përparimin e Arsimit e të Edukatës, materiale nga Drejtoria Krahinore për çështje pronësore-juridike – Prishtinë, Fondin e 3-përqindëshit në Suedi, Fondin e Shqipërisë 1942-1944, dokumente të Sekretariatir Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, etj.
Ceremonia e hapjes së “Javës së arkivit të hapur’ është mbajtur më 17.03.2025, me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë që ka ky institucion për trashëgiminë dokumentare të Kosovës.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i ASHAK-ut, Bislim Bislimi, ka përmendur progresin e punës në arkiv dhe arritjet më të rëndësishme të këtij institucioni gjatë vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025.
Arkivi i Kosovës është themeluar më 20 mars 1951, edhe pse fillet e punës institucionale arkivore në Kosovë datojnë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, respektivisht në vitin 1948.
Pas vitit 1968 filluan të formohen arkivat rajonale dhe ato komunale, me çka fillon edhe ndërtimi i rrjetit arkivor në territorin e Kosovës.
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe vendosjes së masave të dhunshme në të gjitha institucionet e vendit, edhe Arkivi i Kosovës administrohej nga këto masa të dhunshme.
Ndërsa, pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë (vitet 1998-1999), sikurse edhe veprimtaritë e tjera, edhe shërbimi arkivor pësoi ndryshime.
Nga viti 2022 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Arkiva, i cili përcakton rregullat themelore për organizimin, administrimin, funksionimin e shërbimit arkivor në Republikën e Kosovës.