Zgjedhja e anëtarëve të ASHAK-ut. Foto: ASHAK.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës zgjodhi anëtarët e rinj të rregullt dhe korrespondentë
Kuvendi zgjedhor i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) ka zgjedhur më 23.12.2024 anëtarët e rinj të rregullt dhe korrespondentë të Akademisë.
Sipas njoftimit të ASHAK, anëtarë të rregullt (akademikë) janë zgjedhur: Bardh Rugova e Shkumbin Munishi nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë; Arsim Bajrami, Besnik Krasniqi e Frashër Demaj nga Seksioni i Shkencave Shoqërore; Arsim Morina e Salih Gashi nga Seksioni i Shkencave të Natyrës dhe Xhevdet Xhafa nga Seksioni i Arteve.
Kurse, anëtarë korrespondentë janë zgjedhur: Muhamet Mala nga Seksioni i Shkencave Shoqërore; Enver Hamiti nga Seksioni i Shkencave të Natyrës dhe Ismet Jonuzi e Zake Prelvukaj nga Seksioni i Arteve.
Më 02.09.2024, ASHAK-u shpalli zgjedhjet për anëtarë të saj, dhe vuri në dispozicion të institucioneve përkatëse Qarkoren për propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e anëtarëve të Akademisë. Ndërsa, më 21.10.2024, bëri publike propozimet për anëtarë të ASHAK-ut.
Zgjedhjet për anëtarë të ASHAK-ut mbahen çdo katër vjet. Për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, ASHAK fillimisht propozon Qarkoren për propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, e cila pastaj u dërgohet institucioneve përkatëse për të bërë propozimet.
Sipas Rregullores për propozimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të ASHAK-ut, të datës 18.06.2024, anëtarë korrespondentë të Akademisë zgjidhen kandidatët që nuk kanë kaluar moshën 65 vjet.
Anëtarët e rinj zgjidhen me vota të fshehta nga kuvendi zgjedhor i ASHAK-ut.