Burgu, ilustrim
Dënime me burgim ndaj dy të akuzuarve në rastin e vrasjes në nëntor 2024 në Gjilan
Gjykata e Gjilanit ka shpallur aktgjykim dënues ndaj V. S., dhe F. M., për vrasjen që kishte ndodhur më 7 nëntor të vitit 2024.
Gjykata në Gjilan të akuzuarin V. S. për veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje i ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 25 vite burgim, ndërsa të akuzuarin F. M., për veprën penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vite.
I akuzuari V. S., po akuzohet se më datë 07.11.2024, rreth orës 14:00, në Gjilan, në rrugën, “Mërgimtarët e Gjilanit”, në parkingun e objektit banesor “Gëzimi 3”, përballë një lokali berber shop, me dashje e në shenjë hakmarrje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin S. O., nga fshati Vërbicë, Komuna e Gjilanit.
Sipas aktakuzës thuhet se me të arritur me biçikleta të pandehurit V. S. dhe F. M., përballë lokalit berber shop “D…….”, aty i pandehuri V. e vëren të ndjerin S., i cili ishte duke hyrë në veturë, e me ta vërejtur përnjëherë e mbush revolen e prodhimit “Zoraki”, i afrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S., në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, dhe derisa ishte i rrëzuar, i pandehuri V., i afrohet dhe e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa i ndjeri S. O. ndërron jetë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se në kohë të papërcaktuar e deri me datë 12.11.2024, rreth orës 18:20 minuta, në Gjilan, i pandehuri V. S., ka mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar armë zjarri, një revole e prodhimit “Zoraki”, në atë mënyrë që pasi arrestohet i pandehuri V. S., i njëjti e dorëzon pistoletën e lartcekur, me ç’rast sekuestrohet nga Policia e Kosovës.
Sipas aktakuzës me këto veprime i pandehuri V. S. po akuzohet se ka kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa i pandehuri F. M. , po akuzohet se nga data 07.11.2024 e deri më datë 12.11.2024, në Gjilan, në vende të ndryshme me dashje ka ndihmuar të pandehurin V. S. në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, në atë mënyrë që edhe përkundër asaj që ka qenë prezent kur i pandehuri V., shtënë një herë me revole në të ndjerin S. O., e të cilin edhe e godet me grusht dhe shqelm derisa tani i ndjeri ishte i rrëzuar në tokë, dy të pandehurit së bashku me biçikleta në shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes, shkojnë në shtëpinë e pabanuar i lënë biçikletat, dalin së bashku hipin në një taksi, shkojnë tek rrethi i spitalit rajonal, aty zbresin e më pas hipin prapë në një taksi tjetër dhe shkojnë në drejtim të fshatit Livoç i Ultë, me ç’rast aty rrinë të fshehur deri më datë 12.11.2024, kur dorëzohen në Polici.
Sipas aktakuzës me këto veprime i pandehuri F. M., e ka ndihmuar të pandehurin V. S., në fshehjen e tij.
Me këto veprime i pandehuri F. M., po akuzohet se ka kryer veprën penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.
Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit.
KALLXO.com më 13.11.2024 ka raportuar për kërkesën e Prokurorisë së Gjilanit kur kishte parashtruar kërkesën për paraburgim ndaj V. S. dhe F. M.
V. S., dhe F. M., për vrasjen që kishte ndodhur në Gjilan më 07.11.2024 ishin dorëzuar në Polici, më 12.11.2024.
Policia e Rajonit të Gjilanit përmes një komunikate kishte thënë se dorëzimi i dy të akuzuarve kishte ndodhur pas presionit që Policia kishte bërë përmes hetimeve intensive.
“Veprime këto të vazhdueshme hetimore intensive besohet se i kanë sjellë të dyshuarit në presion dhe situatë të papërballueshme me ç ‘rast të njëjtit sot më datën 12.11.2024 vullnetarisht kanë pranuar të dorëzohen në këtë njësi V. S. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës) dhe F. M. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës)” – ishte thënë në komunikatën e Policisë.
Viktima S. O., i lindur në vitin 1987, kishte mbetur i vrarë në rrugën ‘’Mërgimtarët e Gjilanit’’ në Gjilan.
Po ashtu, Policia kishte njoftuar se në lidhje me rastin në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë relevante policore, prokurori dhe zyrtarët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
KALLXO.com kishte raportuar se Policia në Gjilan kishte marrë informacionin rreth orës 13:50 se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit”.