Foto: Dogana e Kosovës/Facebook
Mbi 36 mijë euro të padeklaruara dhe telefona të fshehur në trup, Dogana parandalon tri raste të kontrabandës në Aeroport
Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka parandaluar tri raste të kontrabandës.
Siç njofton Dogana, gjatë kontrollit të një pasagjeri që vinte nga një linjë ndërkombëtare, zyrtarët doganorë kanë zbuluar disa telefona të fshehur në trupin e tij, të cilët dyshohet se ishin të destinuar për tregun e zi.
Edhe te një udhëtar tjetër Dogana ka njoftuar se janë gjetur telefona të mençur të cilëta tentohej të kontrabandoheshin.
Dogana ka treguar se gjatë kontrollit të bagazhit të të njëjtit pasagjer, janë gjetur 36 mijë e 500 euro të padeklaruara, prej të cilave 9 mijë euro janë konfiskuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon qarkullimin e mjeteve monetare në kufi.
“Rasti është referuar për hetime të mëtejshme te Drejtoria e Hetimeve të Doganës së Kosovës, për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe veprimet tjera procedurale”- thuhet në njoftimin e lëshuar nga Dogana e Kosovës më 20.09.2025.