Dogana ndalon pajisje për ujësjellës dhe sistem të ngrohjes qendrore me vlerë mbi 10 mijë euro
Dogana e Kosovës ka ndaluar përkohësisht në Merdare pajisje për ujësjellës dhe sistem të ngrohjes qendrore me vlerë që tejkalon shumën 10 mijë euro, me arsyetimin se malli ka qenë i padeklaruar.
Ky institucion ka bërë të ditur se rreth orës 22:00 më 24.11.2025, pas kontrollit në një automjet me targa të huaja, gjatë kontrollit të rregullt dhe verifikimit përmes skanerit, janë gjetur tre valixhe të kamufluara me veshje të përdorura, brenda të cilave dyshohej të ketë mallra të padeklaruara.
Fillimisht, sipas Doganës pas deklarimit fillestar të shoferit se nuk kishte mallra për të deklaruar, oficerët doganorë së bashku me Policinë e Kosovës kanë ushtruar kontroll të detajuar në vijën e dytë.
“Pas hapjes së bagazhit, është konstatuar se brenda tyre ndodheshin pajisje për ujësjellës dhe sistem të ngrohjes qendrore, të cilat nuk ishin deklaruar. Mallrat janë ndalur përkohësisht, vlera e mallit të gjetur dyshohet se tejkalon shumën prej 10 000 eurove”- shkruan në njoftim.
Dogana ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore sipas procedurave në fuqi dhe mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të rregullt.