Marrëveshja Azerbajxhan- Armeni, Osmani: Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt
Pasi udhëheqësit e Armenisë e Azerbajxhanit arritën të nënshkruajnë marrëveshjen për t’i dhënë fund konfliktit disadekadësh, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shkruar në rrjetin X në lidhje me këtë situatë.
Marrëveshja e Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit, u nënshkrua në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas Vjosa Osmanit, marrëveshja historike e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë është një dëshmi e asaj që mund të arrijë lidershipi i fortë amerikan.
“Ne përgëzojmë Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe Administratën e tij për bërjen e historisë edhe një herë, si dhe Aliyev të Azerbajxhanit dhe Kryeministrin e Armenisë Nikol Pashinyan për lidershipin e tyre. Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë. Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajonin tonë dhe globalisht”- ka shkruar Osmani.
Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruan në Uashington marrëveshje me SHBA-në për rihapjen e korridoreve kryesore të transportit, në kuadër të një plani që, sipas Shtëpisë së Bardhë, synon edhe zvogëlimin e ndikimit rus në rajon.
“Armenia dhe Azerbajxhani po zotohen t’i japin fund përgjithmonë luftimeve, të hapin tregtinë, udhëtimin dhe marrëdhëniet diplomatike, si dhe të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit”, tha Trump.