Presidenti Trump në takimin e 23 shtatorit në OKB me liderët e tetë shteteve arabe dhe myslimane. Foto: Shtëpia e Bardhë
Marrëdhëniet e ngushta të Trumpit me liderët izraelitë e myslimanë rezultuan me ujdinë për armëpushim
Në një storie të shkurtër, korrespodenti i BBC-së për Amerikën Veriore, Anthony Zurcher, ka shpjeguar sesi ngjarjet kryesore gjatë mandatit të parë dhe aktualit të presidentit amerikan, Donald Trump, ndikuan që lideri i Shteteve të Bashkuara të kishte mundësi t’i bënte presion Izraelit që të pajtohej me marrëveshjen për armëpushim me “Hamasin”.
Në mesin e këtyre raporteve të afërta përfshihen edhe ato me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zhvendosja e Ambasadës amerikane në Izrael nga Tel-Avivi në Jerusalem.
Stili jokonvencional i diplomacisë së presidentit Trump dhe lidhjet e tij të ngushta biznesore me Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithnjë kanë pasur ndikim për arritjen e marrëveshjes për Gazën, vlerëson Zurcher.
Trump ishte i palëkundur në takimin e 23 shtatorit në Nju Jork me tetë liderë të Lindjes së Mesme, duke theksuar se Izraeli nuk do të lejohej të merrte kontrollin e Bregut Perëndimor, të qeverisur prej Autoritetit Palestinez.
Takimi në selinë e OKB-së ishte zhvilluar ndërmjet Trumpit dhe liderëve të Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Arabisë Saudite, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit.
Ishte raportuar gjithashtu se Trump dhe ekipi i tij ua kishin paraqitur një dokument që shpaloste planin për t’i dhënë fund luftës në Gazë, përfshirë hollësitë për armëpushim të përhershëm, qeverisjen e ardhshme dhe sigurinë pas luftës.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com