Ilustrim
Linjat e autobusëve nuk përputhen me orarin e nxënësve të shkollave të mesme të Gjakovës, kërkohet që ora e mësimit të zgjatë 40 minuta
Për katër shkollat e mesme të larta në Gjakovë mund të merret vendim që ora e mësimit të zgjatë 40 minuta dhe jo 45 minuta siç parashihet në këtë kohë për shkak se Drejtoria Komunale e Arsimit ka pranuar ankesa nga prindërit se nxënësit nuk kanë linja të autobusëve që të kthehen në shtëpi pas përfundimit të mësimit.
Eranda Kumnova-Baçi, drejtoreshë e Arsimit në Gjakovë, përmes telefonit ka thënë për KALLXO.com se për të premten, më 25.04.2025, i ka ftuar të katër drejtorët e shkollave të mesme të larta në Gjakovë që të mbajnë një mbledhje për këtë çështje.
Sipas Kumnova-Baçit, ora e mësimit gjatë stinës së dimrit është 40 minuta për shkak se dita është më e shkurtë, ndërsa kur kalon në orën verore ajo duhet të jetë 45 minuta.
Kumnova-Baçi ka deklaruar se shumica e nxënësve në Gjakovë udhëtojnë edhe nga fshatrat për në qytet në shkolla të mesme dhe se linja e fundit e autobusit për secilin fshat është në ora 18:00.
“Tash, mësimi me 40 minuta përfundon para orës 18:00, diku 20 minuta pa u ba 18:00, që këta kanë mundësi me shku në stacion edhe me udhëtu. Nëse bëhen 45 minuta, këtyre atëherë po u mbyllen krejt linjat e autobusave” – ka thënë Kumnova-Baçi më 24.04.2025.
“Nesër i kam thirrë drejtorët e shkollave të mesme edhe me i ba, me i kthy 40 minuta orën, d.m.th. vetëm për katër shkollat e mesme, jo për 9-vjeçaret, pasi kanë nxënës që po udhëtojnë. Në rast se mundemi me u dakordu me agjencitë, këto që i kanë linjat e autobusit, në rast se ata e shtyjnë e bëjnë prej orës 19:00, atëherë për ne është në rregull, të fundit [linjë të autobusëve] me e ba ata në ora 19:00 për ne është në rregull” – ka shtuar ajo.
Ajo tha se ende nuk ka biseduar me kompanitë e autobusëve për shkak të angazhimeve të tjera që ka pasur, mirëpo më 25.04.2025 pritet që ta kontaktojë Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Gjakovë që t’i ndihmojë në këtë çështje, si dhe ta lajmërojë Inspektoratin e Arsimit.
Sipas drejtoreshës Kumnova-Baçi, nëse gjatë kësaj kohe është e pamundur që nxënësit e shkollave të mesme të larta ta mbajnë orën e mësimit 45 minuta, atëherë për pesë javë sa u ka mbetur mësim këtyre nxënësve, të mbahet ora e mësimit 40 minuta, ndërkohë që presin deri në shtator 2025 ta rregullojnë këtë çështje.
Kumnova-Baçi tha se nuk kanë raporte të shkollave nëse kanë mbetur pa shpjeguar mësim gjatë kohës së stinës së dimrit me orë të mësimit që kanë zgjatur 40 minuta.
“Pasi është periudha e dimrit që i mbajnë nga 40 minuta dhe nuk kemi pasë ndonjë mangësi, nuk besoj që do të ketë problem deri në fund të vitit” – është arsyetuar Kumnova-Baçi.
Ajo ka treguar se edhe vitin e kaluar në Gjakovë i kanë mbajtur orët e mësimit 45 minuta, ndërsa nëse merret vendimi që orët e mësimit të mbahen 40 minuta, ai pritet të zbatohet prej të hënës, më 28.04.2025.
Linda Dula, kryetare e Këshillit të Prindërve në nivel të komunës së Gjakovës, ka thënë se nuk ka pranuar ankesa nga prindërit për këtë çështje.
Dula është në dijeni se drejtorët e shkollave të mesme të larta në Gjakovë pritet të takohen me drejtoreshën Kumnova-Baçi më 25.04.2025.
Sipas Dulës, Komuna e Gjakovës është dashur t’ua sigurojë nxënësve të shkollave të mesme të larta transportin që të paktën të kthehen në shtëpitë e veta kur është natë.
“Po shpresoj që Drejtoria e Arsimit, pasi i ka thirrur në takim, shpresoj që do ta gjejë një zgjidhje optimale, ose me bisedu me shkollat, me e gjetë një mënyrë ose me këta pronarët e linjave të autobusëve për me ba këtë kthimin ma vonë për shembull” – tha Dula për KALLXO.com.
Dula mendon se ora e mësimit që zgjat 45 minuta është më efektive.
“Unë sot çka dëgjova se vjet nuk ka qenë ky problem, as nuk është shfaqur si problem… Me disa drejtorë që fola të shkollave të mesme, më thanë që nuk e kanë apliku [të mbahet ora 45 minuta] sidomos këto shkollat që i kanë nga shtatë orë [mësim], se shkolla që i ka gjashtë orë nuk e ka atë problem, e kryen ma herët edhe ata e marrin autobusin për me u kthy në fshatin e vet” – ka thënë Dula.
Ndrec Përlleshi, i cili është ekspert i arsimit në zyrën e Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, pasi ka mungesë të inspektorëve në këtë Komunë, në një bisedë për KALLXO.com tha se është interesuar ta dijë orarin e ziles së shkollës, kur i kanë pushimet e gjata, si e kanë të shpërndarë orarin në pesë ditë pune, në mënyrë që t’i raportojë Ministrisë së Arsimit.
“Jam interesu dhe kam pyet në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, te inspektorët e Komunikacionit se kush e jep lejen për linjat e autobusëve, mendova që Ministria, tha jo, na i japim. Thash – po a jeni ulë ndonjëherë ju me dy drejtori, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtorinë e Arsimit, tha – jo, asnjëherë. Do të thotë me vite të tëra, jo tash, këta nuk kokan ulë për me e diskutu orarin mësimor të shkollave të mesme me udhëtim” – ka thënë Përlleshi më 24.05.2025.
Përlleshi ia ka theksuar Kumnova-Baçit se Ligji për Arsimin Parauniversitar e potencon se ora e mësimit është 45 minuta dhe sipas tij nxënësi nuk guxon të dëmtohet, e as të dëmtohet siguria e tij.
E për shkak të kushteve atmosferike, Përlleshi tha se është preferuar që verës të mbahet ora e mësimit 45 minuta, e dimrit 40 minuta, në të gjitha shkollat.
Përlleshi është në dijeni për takimin e drejtorëve të shkollave të mesme të larta me drejtoreshën Kumnova-Baçi më 25.04.2025, por jo më shumë.
Nëse vendoset që ora e mësimit të mbahet për 40 minuta në Gjakovë ani pse janë në stinë të verës, Përlleshi tha se për shkak të mungesës së inspektorëve lëndën do ta përcjellë në Pejë.
“Unë do ta qes në planifikim si inspektim tematik – orari mësimor në shkollat dhe do të bëhet një inspektim nga Inspektorati i Pejës, që vijnë inspektorët, në qoftë se nuk arrijnë në shpejtësi, unë besoj që brenda 10 dite, edhe nëse janë kry të gjitha procedurat e inspektorëve në Gjakovë, ku jam edhe unë në mesin e pesë tyre, dhe po i patëm inspektorët e Gjakovës, e kryen Gjakova këtë çështje, nuk kemi nevojë me adresu në Pejë” – tha Përlleshi.
“Do t’u rekomandohet që me Shërbimet Publike t’i gjejnë formën e transportit për këta nxënësa. Që autobusët, linjat e autobusëve, kur të jepen tenderët të jenë në përputhshmëri me orarin mësimor” – ka shtuar ai.
Yllka Juniku-Shehu, drejtoreshë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ka thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë kaluar në mbajtjen e orës së mësimit për 45 minuta dhe ende nuk kanë pranuar ndonjë ankesë nga prindërit për këtë çështje.
Juniku-Shehu ka thënë se mësimi në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë përfundon në ora 17:40, ndërsa prej 900 nxënësve që janë në këtë gjimnaz ajo tha se shumica nuk udhëtojnë në fshatrat afër Gjakovës, pasi janë në qytet.
“Përderisa ata e kanë parapa që koha kur d.m.th. dita është ma e shkurtë, sezona dimërore është 40 minuta, ndërsa tash është 45 minuta, unë pajtohna me këta. Menaxhmenti nuk e ka asnjë lloj problemi, as vetë mësimdhënësit nuk e kanë problem, problemi kryesor është vetëm për shkak të nxënësve” – ka thënë Juniku-Shehu.
KALLXO.com ka tentuar ta kontaktojë Ardian Gjinin, kryetarin e Komunës së Gjakovës, disa herë përmes telefonit për ta pyetur nëse është në dijeni për këtë rast, mirëpo përmes përgjigjes me shkrim ai ka thënë se është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje me shkrim se si e sheh vendimin që mund të merret që ora e mësimit të mbahet 40 minuta e jo 45 minuta, dhe a ka mundësi Komuna t’u sigurojë transport nxënësve të shkollave të mesme të larta që jetojnë në fshatra, por deri në publikimin e lajmit nuk ka kthyer përgjigje.