Ilustrim nga Besnik Krivanjeva- Kallxo.com
KQZ publikon letrën e kompanisë që shtypi fletëvotimet: Gabimi ishte në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 11.11.2025 ka pranuar sqarim zyrtar nga kompania qw ka shtypur fletëvotimet për gabim të evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 09.11.2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
KQZ deklaron se në njoftimit, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar hetim të plotë dhe ka zbuluar se problemi ka ndodhur në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, derisa sistemi i kontratolli monitoron vetëm QR kodin, sipas tyre për këtë shkak nuk është detektuar gabimi nga kompania CETIS.
“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”- thuhet në njoftimin e KQZ.
Ky institucion ka njoftuar se për këtë përgjigje ka njoftuar edhe Prokurorinë.
“Pavarësisht zbatimit të masave agjithëpërfshirëse të sigurisë dhe kontrolleve të rrepta bazuar në standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë, ne marrim përgjegjësi të plotë për këtë gabim, i cili në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte. Fletët e votimit përfshijnë disa elementë sigurie që nuk mund të replikohen, prandaj besojmë se falsifikimi nuk mund të ketë qenë i mundur. Thellësisht na vjen keq që një incident i tillë ndodhi pavarësisht të gjitha masave parandaluese, përfshirë ekzaminimin personal nga ekipi juaj në ambientet tona të prodhimit”- thuhet mes tjerash në letrën që Roman Znidaric, drejtor ekzekutiv i CETIS ka dërguar në KQZ.
Letra e CETIS është bashkëngjitur në njoftimin e KQZ-së për media.

Prokuroria e Mitrovicës në orët e para të 11.11.2025 ka urdhëruar që përkohësisht të ndërpritet numërimi i fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë.
Sipas Prokurorisë, kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e numërimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletëvotime.
“Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 11.11.2025.
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë është ndërprerë numërimi i votave të balotazhit të zhvilluar më 09.11.2025 për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Vëzhguesit e PDK-së dhe ata të LDK-së në Qendrën Komunale të Numërimit e kanë bojkotuar procesin e numërimit të votave.
Ndërsa, siç raportoj gazetarja e KALLXO.com, në QKN vazhdojnë të qëndrojnë vëzhguesit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas, KQZ-së, ka ndodhur një gabim në shtypjen e kodit të vendvotimit.