Liburn Aliu dhe Albin Kurti
Liburn Aliu jep dorëheqje nga Qeveria Kurti, nuk i pëlqen Basha si Kryetar Kuvendi
Liburn Aliu, ka dorëzuar te Kryeministri në detyrë Albin Kurti, letrën e dorëheqjes nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Aliu thotë se arsyeja e dorëheqjes së tij lidhet me zgjedhjen e Dimal Bashës Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”- ka shkruar ai në Facebook.
Aliu ka thënë se konsideruar që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, “nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.
Liburn Aliu në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka kandiduar as si deputet i Vetëvendosjes.
Pas shumë përpjekjesh për të gjetur një kandidat që do të siguronte shumicën, më në fund, Dimal Basha, mes kundërshtive politike, u zgjodh kryeparlamentar me 73 vota për, 30 kundër dhe 3 abstenime, nga gjithsej 115 deputetë të pranishëm në sallë më 26.08.2025.
Ai ishte propozuar edhe në seancën e 24 gushtit, por atë ditë nuk arriti të merrte votat e nevojshme.
https://kallxo.com/gjate/profil/befasia-nga-kriza-dimal-basha-i-zeshmi-i-lvv-se-ne-krye-te-kuvendit/