Mes polemikash për paga, mbahet protesta e punëtorëve të RTK-së - VIDEO
Përfaqësues nga Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës së bashku me disa punëtorë të RTK-së janë mbledhur të hënën, më 10.11.2025 para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar alokim të pagave dhe miratim të buxhetit për stafin e RTK-së.
Pas protestës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha debatoi me një punëtore të Radio Televizionit të Kosovës, e cila i kërkoi kryeparlamentarit bojkot të pagave deri në marrjen e një vendimi për alokimin e mjeteve financiare për stafin e RTK-së.
Basha ia ktheu se ka pasur vullnet që stafit të tyre t’i alokohen pagat dhe se ka kërkuar që të ecet përpara, por që sipas tij, pa sukses.
“Unë po du edhe ti me e marrë pagën. Po edhe unë në të njëjtën kohë kur e kam thirrë mbledhjen e Kryesisë, unë e kam kërku që të nesërmen të mbahet seanca e jashtëzakonshme, të miratohet raporti dhe të ecet përpara” – i tha ai.
Ndërsa punëtorja insistoi përsëri që deputetët t’i bojkotojnë pagat bashkë me ta, Basha i tha se kërkesa e saj është e vlefshme vetëm për deputetët që po refuzojnë ta votojnë raportin e buxhetit.
“Analogjia jote ka arsye nëse unë them me ta bojkotu edhe tanën po derisa unë po kërkoj që ti të marrësh pagën, ti po kërkon mos me marrë unë. S’ka lidhje kjo me pagën sa ka lidhje me ecurinë e deputetëve që kanë mandat funksional për me miratu raportin dhe me i marrë pagat punëtorët. Ajo ndoshta do të vlente për secilin deputet që ka mandat edhe po refuzon me votu raportin. Ajo do të vlente vetëm për deputetë që po refuzojnë” – ia ktheu Basha.
Ndërsa ajo i thot Bashës së nuk do të rrijë pa pagë dhe se e përfundoi atë që kishte për të thënë, Basha e polemizoi duke i thënë se “mund të ia bësh qejfin vetes”.
“Jo ti se kryve po megjithatë mundesh me ia bë qefin vetes. Unë ta dhashë përgjigjen. Gjithë deputetët që refuzojnë me votu për miratimin e raportit, ata do të duhej t’i thërrasin arsyes, se s’ka asnjë arsye. Kemi Kuvend të konstituuar, raporti është duke u pritë dhe duhet të miratohet” – u shpreh Basha.
Basha ndër të tjera e quajti padrejtësi këtë gjë, ndërsa tregoi se ka ftuar të gjitha subjektet politike për mirëkuptim ndaj miratimit të raportit.
“Unë dola këtu me u solidarizu me punëtorët e RTK-së, ku janë mbi 700 prej tyre të cilët i presin pagat dhe pa të drejtë kanë mbetur pa paga. Megjithatë, unë gjithashtu e kam me rëndësi t’ju njoftoj si Kryetar i Kuvendit, që i kam ftuar të gjitha subjektet politike për të bërë hapat që duhet, për të arritur deri te një mirëkuptim për miratimin e raportit” – theksoi Basha.
Ai shpjegoi se e vetmja mënyrë për të arritur në ekzekutim të pagesave për stafin e RTK-së është miratimi i raportit për buxhetin vjetor.
“Si procedurë, krejt çka duhet, kemi një Kuvend funksional, kërkohet themelimi i komisioneve, miratimi i raportit. Me miratim të raportit atëherë Qeveria apo Ministria e Financave në këtë rast e bën ekzekutimin e fondeve. Pra, është procedurë komplet e thjeshtë” – tha Basha.
Ndërsa shtoi se në rast të miratimit të këtij raporti, brenda ditës do të alokohen mjetet për paga.
“Por, sa i përket RTK-së, krejt çka kërkohet është që brenda ditës ne mund të mbledhemi, t’i themelojmë komisionet ose t’i miratojmë komisionet parlamentare. Në këtë rast, vetëm Komisionin për Buxhet. Miratohet raporti dhe brenda ditës ekzekutohen pra mjetet për pagat e punëtorëve, por dhe funksionalizimin e RTK-së në përgjithësi” – u shpreh Dimal Basha.
Ndërkohë, gjatë fjalimit në protestë, Pajazit Krasniqi, kryetar i Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës tha se kjo situatë përveç që është një neglizhencë e papranueshme që e rrezikon funksionimin e televizionit, është edhe cenim për mirëqenien e stafit.
“Përkundër të gjithë këtij angazhimi vullnetshëm të stafit, kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një neglizhence të papranueshme nga ana e institucioneve të vendit për ta trajtuar me urgjencë çështjen e buxhetit të Radio Televizionit të Kosovës. Kjo vonesë po e rrezikon funksionimin normal të institucionit, po e cenon mirëqenien e punëtorëve dhe, mbi të gjitha, po prek të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur dhe të paanshëm” – tha ai.
Krasniqi theksoi se buxheti i RTK-së nuk është dhuratë, por është obligim që punëtorëve u takon me ligj.
“Radio Televizioni i Kosovës nuk duhet të mbahet peng i kalkulimeve e politike. Buxheti i RTK-së nuk është dhuratë, por është obligim ligjor që duhet të ekzekutohet me kohë dhe pa vonesa” – u shpreh Krasniqi.
Ai tutje kërkoi që deri në fund të javës, në mënyrë urgjente të alokohen pagat për të gjithë punëtorët.
“Nëse sot nuk dëgjohemi, nesër do të jemi më shumë, më të vendosur dhe më të zëshëm, sepse kjo është kauza jonë: kauza për një RTK financiarisht stabile, të pavarur dhe me dinjitet.
Prandaj, sot nga kjo protestë, kërkojmë me zë të lartë që buxheti i Radio Televizionit të Kosovës të transferohet urgjentisht dhe deri në fund të javës të gjithë punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës t’i marrin pagat e muajit tetor” – deklaroi Pajazit Krasniqi.
Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës protestuan para disa ditësh, më 06.11.2025 për të kërkuar miratim të buxhetit dhe alokim të pagave. Mospagesa ka mbetur peng për shkak të mos formimit të komisionit parlamentar për shqyrtim dhe miratim të raportit për RTK-në.
Edhe në gusht 2025, punëtorët e RTK-së patën protestuar për paga.
Pas situatës, Qeveria në detyrë e Kosovës e kishte miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 2,540,000 euro të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik.