Mimoza Kusari - Lila, kryetare e partisë "Alternativa", Foto: KALLXO.com
Kusari-Lila për moskonstituimin e Kuvendit: Vendi s'mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake
Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke u shprehur kritike për zvarritjet në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se qytetarët janë duke pritur që institucionet të funksionojnë.
Zvarritja e konstituimit të Kuvendit, sipas saj, po ndodh për shkak të inateve politike.
Sipas saj, mosvotimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit është mospranim i rezultatit zgjedhor.
Vendi, siç ka thënë ajo, nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake.
“Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional. Opozita duhet të reflektojë me përgjegjësi për domosdoshmërinë e konstituimit të Kuvendit, për formimin e qeverisë dhe për kthimin e plotë të kompetencave qeverisë në detyrë” – ka shkruar Kusari – Lila.
Kusari-Lila ka përmendur edhe rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit, në të cilin LVV mori 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, Lista Serbe 9, koalicioni AAK-NISMA 8 dhe partitë e tjera minoritare 11 deputetë tjerë.
“Me të filluar seanca për konstituimin e kuvendit të legjislaturës së nëntë me 15 prill, deputetët e opozitës votuan kundër duke pamundësuar betimin e deputetëve. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, Avni Dehari, i shkroi letër Presidentes Osmani duke e pyetur si të ecim tutje dhe ajo menjëherë ju përgjigj: ju deputetët e zgjedhur merruni vesh e gjeni zgjidhje” – Kusari-Lila ka spjeguar kronologjinë nga 15 prilli.
Tutje ajo ka shkruar për ndryshimin e qëndrimit të deputetëve të PDK-së, LDK-së, e AAK-së dhe kryerjen e betimit të deputetëve më 19 prill.
Kusari-Lila ka treguar edhe për ndryshimin e procesit të votimit.
“Pas gjashtë votimeve të pasuksesshme për kryetare të Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari kërkoi të provojmë votimin e fshehtë bazuar në pikat 124 dhe 125 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 gushti i vitit 2014. Themelimin e komisionit përkatës deputetët opozitarë po e bojkotojnë tash e 16 herë!” – ka shtuar Kusari-Lila.
E para e Alternativës ka përmendur refuzimin e LDK-së për bashkëqeverisje dhe dërgimin e lëndës së AAK-së në Gjykatën Kushtetuese për procesin e votimit të fshehtë.
Sipas saj, VV e kryer obligimin kushtetues dhe ka dhënë propozimin për të paren e Kuvendit pa vonesë.
“LVV njëmend nuk e ndërron propozimin, por tanimë çështja është kuorumi për votimin e fshehtë dhe jo Albulena. Në kundështim me pikën 128 të aktgjykimit të GjK nga viti 2014, nesër opozita do ta pamundësojë kuorumin për herën e 17!” – shton ajo.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar 24 herë.
Mbledhja e radhës e deputetëve të legjislaturës së nëntë është më 02.06.2025 në ora 10:30, në tentativën e 25-të për të konstituuar Kuvendin, rrjedhimisht për zgjedhur Kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit.