Albin Kurti - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com
Kurti: Afrim Bunjaku nuk lejoi që policët tjerë, më të ri se ai, të ia mësyjnë bllokadës në rrugë
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Homazhe tek varri i heroit Afrim Bunjaku u organizuan më 24.09.2025 në dy vjetorin e rënies gjatë betejës në Banjskë të Zveçanit.
Aty mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Kemi të bëjmë me një shtet që i del zot vetvetes dhe i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit” – deklaroi Kurti.
Afrim Bunjaku tanimë i përket Republikës së Kosovës, e sipas Kurtit gjithë populli do e mbaj për jetë e mot në zemrat e veta.
Kurti ka folur për guxim të dyfishtë të Afrim Bunjakut, e para si polic me përvojë që ndërhyri tek bllokada në Banjskë. E i cili ishte 22 vjet polic, e 16 vjet rreshter.
“Tash e ka gradën hero i Kosovës e cila si merret dot as atij e as të gjithë të tjerëve që e kanë atë gradë, sikur zyrtari tjetër policor i rënë në korrik 2011, Enver Zymeri” – ka thënë Kurti.
Ai foli edhe për Alban Rashitin që mbeti i plagosur në Banjskë dhe për Mirsad Kryeziun i cili thotë Kurti ‘nën breshërinë e plumbave’ nxori trupin e Afrim Bunjakut.
“Aspekti tjetër i guximit të Afrim Bunjakut është fakti që ai nuk lejoi që policët e tjerë që ishin më të ri se ai, të ia mësyjnë bllokadës e cila ishte vendosur aty në rrugë nga kamionët e grupit terrorist, paramilitarë të Serbisë, të udhëhequr nga Radoiçiqi. Ai si polic me përvojë, të rinjtë nuk i la që të sakrifikohen, të vet-mohohen, të flijohen para tij” – ka shtuar Kryeministri në detyrë.
Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të mos e konsideroj Serbinë shtet normal derisa nuk i dorëzon ‘kriminelët e Serbisë, të organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të financuar nga Beogradi zyrtar dhe Presidenti Aleksandër Vuçiq’.
“Aktakuza i përfshin 45 persona, këta duhet të i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë për ta dhe pa numër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në këtë vrasje të Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist” – ka shtuar Kurti.
Megjithatë, beteja e Banjskës thotë Kurti është betejë e fituar nga Policia për qytetarët.
“Aty u vranë tre terroristë, tre janë në burgjet e Kosovës dhe dëshirojmë që me ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë që edhe 45 të akuzuarit e tjerë të vihen përball drejtësisë në Republikën e Kosovës ku e kemi edhe EULEX-in edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare për shkak të pranisë së madhe dhe ku padyshim që do të kenë gjykim të drejtë dhe do të marrin dënimin meritor” – përfundoi Kurti.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë më 24.09.2023, kur afër Manastirit në Banjskë të Zveçanit, së bashku me disa policë të tjerë kishin intervenuar pas një informate se në një urë ishin vendosur barrikada.
Një mjet shpërthyes, që dyshohet se ishte me telekomandë, i kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Aty ishte plagosur edhe polici, Alban Rashiti, teksa kishte pasur shkëmbim zjarri me një grup që sulmoi Policinë e Kosovës.
Pamjet e marra nga droni, të cilat u publikuan më 26.09.2023, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shfaqën një grup të terroristëve të armatosur e uniformuar, jashtë objektit të bujtinës së Manastirit të Banjskës, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake. Po ashtu, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, ishin gjetur edhe dokumente të Milan Radoiçiqit.
Në mesin e terroristëve ishte edhe Millan Radoiçiq, i cili më 29.09.2023, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e kishte konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit.
“Unë personalisht kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për të mbrojtur popullin tonë nga okupatori. Unë kam marrë vendim të bëj këtë akt të them se Kosova është vendi im, shtëpia ime, pjesë përbërëse e shtetit tim, Republikës së Serbisë, po merret me dhunë ndërsa populli serb dëbohet me qëllim përfundimtar që Kosova të pastrohet tërësisht nga populli serb” – thuhet në letrën e Radoiçiq.
Millan Radoiçiq është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë. Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.
Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiq. Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.
Sulmin terrorist në Banjskë e dënuan akterë të shumtë ndërkombëtarë e vendorë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë për rastin “Bajnska”?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës, mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policor dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq janë këta të akuzuar.
Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik, “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për terrorizëm janë në paraburgim që nga shtatori i 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Sipas prokurorir të rastit, Naim Abazit, deri në ngritjen e akakuzës janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje” – tha prokurori.
Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kishin hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave” – kishte thënë prokurori.
Në konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Seancat gjyqësore për rastin “Banjska”
Seanca e fundit gjyqësore për rastin “Banjska”, ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, u mbajt më 24.07.2025. Ajo ishte me dyer të mbyllura për publikun dhe mediat.
Kjo pasi më 24.07.2025 është paraparë që të dëgjohet një dëshmitar i nacionalitetit serb, lidhur me ndodhinë e datës 23 dhe 24.09.2023 ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor, Afrim Bujnaku.
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, në Shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë, lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Në këtë rast ishin dëgjuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kishin intervenuar në orët e para të mëngjesit të 24.09.2023, kur edhe kishte filluar sulmi terrorist nga grupi i cili udhëhiqej nga Milan Radojçiq.
Raportimet në lidhje me sulmin në Banjska i gjeni në këtë LINK.