Kryetari i Prishtinës i dhuron “Çelësin e Qytetit” Ekrem Bardhës në Amerikë
Në shenjë mirënjohje për kontributin e tij si aktivist për çështjen shqiptare ndër vite, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i ka dhuruar “Çelësin e Qytetit”, Ekrem Bardhës.
Përmes një shkrimi në rrjete sociale, Rama thotë se ky akt nuk ishte thjesht ceremonial, por se ishte një shenjë e drejtësisë historike dhe një falënderim i sinqertë për përkushtimin e Bardhës ndaj lirisë, dinjitetit dhe identitetit kombëtar.
Me këtë rast, Rama përmes disa fotografive të shpërndara, ka njoftuar se kjo ceremoni është organizuar në qytetin e Detroitit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të ftuar ishin shqiptarë dhe amerikanë.
“Ky nderim për z. Bardha është një kujtesë për të gjithë ne – veçanërisht për brezin e ri – se liria që gëzojmë sot është rezultat i përpjekjeve të gjeneratave të tëra që nuk u dorëzuan kurrë”- ka shkruar Rama, më 31.05.2025.
Ekrem Bardha është biznesmen dhe aktivist i njohur shqiptar si një figurë kyçe në komunitetin shqiptar në Amerikë.