Konjufcës i rrjedh afati për propozimin e qeverisë, LVV s’jep sinjale për thirrje të seancës
Afati për formimin e qeverisë së re nga ana e mandatarit të dytë, Glauk Konjufca, ka filluar të rrjedhë më 4 nëntor dhe përfundon më 19 të këtij muaj. Ashtu siç i kishte Albin Kurti, edhe Konjufca i ka 15 ditë afat për ta propozuar kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvendin e Kosovës. Kështu parashihet me Kushtetutë. Por, pavarësisht se ditët po kalojnë, ende nuk është parë ndonjë përpjekje për sigurimin e minimumit prej 61 votash për votimin e qeverisë, siç nuk është dhënë asnjë sinjal për thirrje të seancës së Kuvendit.
Në rast se seanca për zgjedhjen e Qeverisë thirret në dy ditët e fundit të afatit- pra me 18 ose 19 nëntor, atëherë sipas kalkulimeve, duke supozuar që “Qeveria Konjufca” nuk votohet, vendi mund të shkoi në zgjedhje në njërën nga të dielat e 7, 14, 21 apo 28 dhjetorit. Mirëpo, në rast se seanca thirret para 18 ose 19 nëntorit, data 28 dhjetor bie nga kalkulimi si ditë kur mund të mbahen zgjedhjet e reja.
Ky kalkulim është bërë duke u bazuar në afatin kushtetues prej jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, në rastet kur nuk zgjidhet qeveria e re.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë legjislaturës së tetë, Mimoza Kusari-Lila në një përgjigje telefonike për KALLXO.com ka thënë se nuk dihet ende se kur mund të thirret seanca për zgjedhjen e Qeverisë.
“Ende jo! Ende nuk është bërë [thirrja]. Kryesisht, tash aktivitetin e kemi me balotazh. Nuk ka pas diçka konkretisht. Nëse e doni mendimin tim personal, unë mendoj pas balotazhit… Por nuk e di. Varet se qysh do të vendoset”- tha Kusari-Lila.
E pyetur se a kanë filluar ndonjë komunikim me parti apo deputetë të partive opozitare, Kusari-Lila, e mohoi.
“Jo, deri tash nuk ka deri tash diçka të zyrtarizuar e as jozyrtare”- shtoi ajo.
Më 04.11.2025, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mandatoi Glauk Konjufcën për Kryeministër të vendit.
Në po të njëjtën ditë, Presidentja Vjosa Osmani zyrtarisht mandatoi atë, dhe menjëherë ka filluar afati 15 ditësh i Konjufcës për të formuar qeverinë e re.
“Nuk kemi emër tjetër, përveç propozimit nga partia e parë me emrin e zotëriut Glauk Konjufca… Mandatimi i tij është gjithashtu në përputhje me përgjegjësinë tjetër, që presidentja të ruajë stabilitetin e vendit duke shmangur zgjedhjet”- tha Osmani.
Pas mandatimit nga LVV, Konjufca u shpreh se nuk synon koalicione dhe qeveri afatgjate.
“Ideja ka qenë e thjeshtë, ta krijojmë një qeveri të re për me i shmangë dy gjëra aq shumë të rëndësishme: e para janë zgjedhjet e reja dhe e dyta që të provojmë të bashkëpunojmë që të mundet Kosova me pasë buxhetin e saj për vitin 2026”- tha Konjufca para gazetarëve.
Ai ka shtuar se nëse nuk evitohen zgjedhjet e reja dhe nuk miratohet buxheti i vitit të ardhshëm, “nuk është mirë për Kosovën”.
“Pikërisht për këtë arsye Lëvizja Vetëvendosje më propozoi për mandatar sot. Unë e pranova dhe na mbetet të shohim veprimin e Presidentes. Kur të arrijmë tek momenti i Presidentit (zgjedhjes së Presidentit të ri), nuk është e sigurt që një Parlament i ardhshëm mundet me sukses me e zgjidh çështjen e Presidentit, prapë do të kemi zgjedhje. Për me i shmangë dy palë zgjedhje, maturia shtetërore është që të kemi një qeveri së paku deri atëherë”- shtoi ai.
Propozimi i LVV-së për qeveri të udhëhequr nga Konjufca u kundërshtua nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA, të cilat kërkojnë zgjedhje e jo zvarritje të procesit, siç po e quajnë ata propozimin e VV-së.
Kosova tashmë po i bën nëntë muaj pa institucione të reja, pra që nga zgjedhjet e 09.02.2025.
Mandatari i parë për Qeverinë, Albin Kurti ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Për kanë votuar vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës kanë votuar kundër dhe katër vota kanë qenë abstenim.
Në ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituar Kuvendin.