Ilustrim - Foto-video: Reuters
Izraeli ndalon anijen e fundit të flotiljes humanitare, nis deportimi i aktivistëve
Ushtria izraelite ka ndalur të premten (03.10.2025) edhe anijen e fundit të flotiljes humanitare që po mundohej të çante bllokadën izraelite ndaj Gazës, një ditë pasi ka ndalur shumicën e anijeve dhe ka arrestuar rreth 450 aktivistë, përfshirë aktivisten suedeze, Greta Thunberg, raporton Reuters.
Organizatorët e Flotiljes Botërore Sumud ka thënë se anija “Marinette” është ndaluar rreth 79 kilometra larg bregut të Gazës. Edhe ushtria izraelite ka konfirmuar se ka marrë kontrollin e anijes së fundit, duke arrestuar personat që ndodheshin në bord. Anija është nisur në drejtim të portit izraelit të Ashdodit.
Në një deklaratë të shkruar, organizatorët kanë konfirmuar se forcat izraelite “kanë ndalur tashmë ilegalisht të gjitha 42 anijet tona – secila prej tyre me ndihma humanitare, vullnetarë dhe vendosmëri për të çarë rrethimin ilegal të Izraelit ndaj Gazës”.
Ministria e Jashtme izraelite ka bërë të ditur të premten se ka nisur riatdhesimin e aktivistëve dhe deputetëve. Katër italianë tashmë janë riatdhesuar. “Të tjerët janë në procesin e dëbimit. Izraeli synon që ta kryejë këtë procedurë sa më shpejt që është e mundshme”, thuhet në deklaratë, duke theksuar se të gjithë pasagjerët e flotiljes janë të sigurt.
Një ditë më parë, presidenti i Afrikës Jugore, Cyril Ramaphosa, u është bashkuar thirrje ndërkombëtare të dënimit të lëvizjes së Izraelit, duke e quajtur “shkelje të rëndë” kundër “solidaritetit dhe sentimentit botëror që synon të lehtësojë vuajtjen në Gazë”.
Flotilja, e cila kishte nisur lundrimin në gusht, po transportonte ilaçe dhe ushqim drejt Gazës dhe përbëhej prej 40 anijeve me rreth 500 deputetë, avokatë dhe aktivistë. Është simboli i profilit më të lartë të kundërshtimit ndaj bllokadës izraelite ndaj Gazës.
Përparimi i flotiles përgjatë Detit Mesdhe kishte rrokur vëmendjen ndërkombëtare, derisa shtete si Turqia, Spanja dhe Italia kishin dërguar anije dhe dronë në rast se shtetasve të tyre do t’u duhej ndihmë, megjithëse vazhdimisht ka pasur paralajmërime nga Izraeli se flotilja do të kthehet prapa.
Ministria e Jashtme turke e ka quajtur “akt terrori sulmin” ndaj flotiljes, duke theksuar se është rrezikuar jeta e civilëve të pafajshëm.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com