Investimet në deponë e barnave, MSH nënshkruan kontratë për mbikëqyrjen e punimeve një muaj pas vënies së gurthemelit
Më 30.07.2025 u nënshkrua kontrata për mbikëqyrjen e punimeve në projektin e renovimit të Deposë së Barnave dhe ndërtimit të aneksit. Gurthemeli i kësaj Depoje, u vendos më 24.06.2025 nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.
Edhe pse në momentin e vendosjes së gurthemelit, aty veçse shiheshin punimet që kishin filluar më herët. Kontrata për renovimin e Deposë dhe ndërtimin e aneksit, të cilat gjenden në Fushë Kosovë, ishte nënshkruar më 28.05.2025 apo gati dy muaj më herët se kontrata për mbikëqyrjen e punimeve.
Kjo do të thotë që Ministria e Shëndetësisë ka filluar punimet për këtë projekt pa pasur kompani që i mbikëqyr ato, ashtu siç vet kishte planifikuar.
Sipas kontratave, renovimi i deposë së barnave dhe ndërtimi i aneksit do të kushtoj 1 milion e 770 mijë e 554 euro e 42 centë dhe këtë tender e ka fituar kompania “Termomontimi Sh.P.L”, kurse mbikëqyrja e këtyre punimeve i kushton Ministrisë së Shëndetësisë 21 mijë e 485 euro dhe tenderin e kanë fituar kompanitë “P.M.N Sh.P.K”, “Univers- Mi” dhe “NPN Euroing” si grup kompanishë. Derisa punimet për renovim dhe ndërtim pritet të zgjasin 180 ditë, sipas kontratës.
KALLXO.com që nga 24.06.2025 ka dërguar disa herë pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë sa i përket këtij projekti dhe mbikëyqrjes së tij. Sqarime kemi kërkuar sa i përket asaj se kush po i mbikëqyr punimet duke qenë se kontrata nuk ishte nënshkruar ende me ndonjë mbikëyrës. Për këtë çështje, me rastin e vënies së gurthemelit, KALLXO.com pyeti edhe ministrin në detyrë Arben Vitia.
Vitia në përgjigjen e tij, na kishte udhëzuar që të i drejtohemi me shkrim Ministrisë të cilën ai e udhëheqë.
“Natyrisht nuk i kam të gjitha detajet. Do ta merrni përgjigjen e duhur. Unë jam ministër, detyra ime ka qenë që ky projekt të realizohet. Shkruani dhe siç e keni parë Ministria e Shëndetësisë në afat rekord u përgjigjet për shqetësimet, pyetjet, dilemat që mund t’i keni”– kishte deklaruar Vitia më 24.06.2025.
Ministria e Shëndetësisë, fillimisht më 16.07.2025 kishte kthyer përgjigje për KALLXO.com duke sqaruar se kishin pranuar katër oferta për kontratën e mbikëqyrjes së punimeve.
“Punimet janë duke u mbikëqyrur nga një Ekip Mbikëqyrës i Ministrisë së Shëndetësisë, ku pas nënshkrimit të kontratës, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerr vendim për Menaxherin e kontratës, Mbikëqyrësin e menaxherit, si dhe vendimin për Ekipin Mbikëqyrës”– kishte sqaruar kjo Ministri më 16.07.2025.
Megjithëkëtë, kishte nevojë për sqarime se cilat janë punët e ekipit mbikëqyrës së Ministrisë dhe se çfarë ndodhë me ta kur të nënshkruhet kontrata me ndonjë kompani për mbikëqyrjen e këtyre punimeve.
Kështu, Ministria e Shëndetësisë më 29.07.2025 ka dhënë sqarime të mëtejme sa i përket kësaj çështjeje.
Sipas tyre, ekipi mbikëqyrës i caktuar nga Ministria e Shëndetësisë ka mandat të përkohshëm deri në kontraktimin e kompanisë që do të kryej mbikëqyrjen, që i bie deri më 30.07.2025, kur u nënshkrua kontrata me kompaninë për mbikëqyrjen e këtyre punimeve.
“Kontrata e shërbimeve të mbikëqyrjes është e kushtëzuar me realizimin e kontratës së punëve ndërtimore. Në rast të mosrealizimit të punëve ndërtimore, nuk realizohet as kontrata e shërbimeve të menaxhimit dhe AK nuk ka obligim ndaj kontraktorit” – thuhet mes tjerash në përgjigjet e MSh-së.
Nga kjo Ministri thonë se vonesa në nënshkrimin e kontratës për mbikëqyrjen e punimeve ka pasur për shkak se është dashur që të kompletohet dokumentacioni teknik dhe financiar për tenderim si dhe ka pasur pyetje sqaruese dhe një kërkesë për rishqyrtim dhe afati për hapjen e tenderëve është shtyrë nga 30.06.2025 në 07.07.2025 kur edhe u pranuar katër oferta.
“Shërbimi i mbikëqyrjes paguhet vetëm për vlerën e punëve që do t’i mbikëqyrë OE. Pagesa përllogaritet në mënyrë proporcionale sipas vlerës së punëve të mbikëqyrura dhe zbritet vlera e punëve që paguhen për kohën kur nuk kanë qenë të kontraktuar” – sqaron tutje Ministria.
Sipas tyre, në përshkrimin e çmimeve, është sqaruar qartë se mbikëqyrja e punimeve është e kushtëzuar me realizimin e punëve ndërtimore.
Tutje nga kjo Ministri thonë se nëse nuk realizohen punimet ndërtimore nuk do të realizohet as kontrata për mbikëqyrjen e punimeve dhe se Ministria nuk do të kishte obligime ndaj kompanisë mbikëqyrëse.
“Ekipi mbikëqyrës nga MSh në përbërjen e vet ka vetëm një inxhinier, andaj për sigurinë e MSh dhe të realizimit të punëve sa me cilësore është e nevojshme angazhimi i kompanisë me stafin inxhinierik te të gjitha profileve për mbikëqyrjen e fazave ndërtimore”– është çfarë ka thënë tutje kjo Ministri.
Me rastin e hedhjes së gurthemelit të aneksit dhe renovimit të deposë, Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia e cilësonin si teper të rëndësishme këtë depo dhe aneksin e saj.
“Që nga privatizimi i Farmed-it në vitin 2005, barnat në Kosovë janë mbajtur se nuk po mund të them janë ruajtur, në ambiente të pasigurta, të papërshtatshme me lagështi e rrjedhje uji” – kishte deklaruar Kryeministri në detyrë më 24.06.2025.
“Më në fund po ndërtohet një depo e re qëndrore e cila do të jetë depo moderne. Përveç kushteve teknike që do i plotësoj, do të jenë të instaluara edhe sisteme të ndryshme digjitale që do të mundësojnë ruajtjen e barnave edhe menaxhimin dhe distribuimin sa më të mirë të tyre në Spitale dhe nëpër Komuna” – kishte deklaruar Vitia më 24.06.2025.
