Gjakovë, qytetarit iu vodhën 4,500 euro nga llogaria bankare, Policia arreston 4 të dyshuar
Katër persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve.
Policia njofton se më 05.11.2024, një qytetar kishte raportuar se nga llogaria e tij bankare ishin tërhequr 4 mijë e 500 euro pa dijeninë e tij.
Pas kësaj, ekipi i Krimeve Kibernetike kishte filluar hetimet, me ç’rast, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit janë identifikuar dhe arrestuar personat në fjalë, të enjten, më 26.12.2024, në Gjakovë.
Tutje, sipas Policisë, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar dy telefona mobilë, për të cilët dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
“Pas intervistimit të të dyshuarve dhe përfundimit të procedurave tjera policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre nga personat e arrestuar janë ndalur në mbajtje”- thuhet në raportin policor.