Ilustrim
Shtime, arrestohen 2 persona për vjedhje në një qendër tregtare, vetura me të cilën udhëtonin rezulton e vjedhur
Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e së enjtes (27.11.2025) në Shtime pasi dyshohen se kanë kryer vjedhje në një qendër tregtare në rrugën “Tahir Sinani”.
Rasti është regjistruar rreth orës 18:40 nga sigurimi i qendrës tregtare, i cili kishte ndaluar të dyshuarit deri sa kanë mbërritur pjesëtarët e Policisë.
Sipas Policisë së Kosovës, të arrestuarit janë Sh. Z. rreth 20-vjeç, dhe F. Z. rreth 15-vjeç.
Të dy janë shoqëruar në stacionin policor në Shtime, dhe gjatë procedurave zyrtare janë sekuestruar produktet ushqimore dhe gjësendet e tjera që dyshohet se ishin vjedhur.
I mituri thuhet se është intervistuar në prani të avokatit dhe prindit në përputhje me procedurat ligjore.
Gjatë verifikimeve, Policia ka konstatuar se dy të dyshuarit kishin ardhur në Shtime me një veturë të tipit “Renault”, me targa vendore, e cila ishte raportuar e vjedhur po atë ditë në Skenderaj.
“Në lidhje me këtë, është njoftuar stacioni policor në Skenderaj për të vazhduar trajtimin e rastit të vjedhjes së veturës. Për rastin e vjedhjes së kryer në territorin e Shtimes, policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ka njoftuar prokurorin e shtetit”- thuhet në raportin e datës 28.11.2025.