Gara për Junikun: Premtimet e kandidatëve për kryetar komune
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Komuna që ruan historinë e lashtë të qeverisjes nga kullat e Dukagjinit dhe një prej qendrave të turizmit malor ende nuk e ka të zgjidhur problemin me ujin e pijes, megjithëse ka edhe probleme në infrastrukturë dhe mangësi në shërbime publike.
Juniku është një komunë e vogël – me afër 4 mijë banorë, por është portë hyrëse për në Bjeshkët e Nemuna dhe sidomos drejt majës së Gjeravicës, maja më e lartë në Kosovë. Për këtë komunë po garojnë katër kandidatë për kryetarë.
Në Debat Përnime – në formatin e vetëm të verifikimit të fakteve morën pjesë tre kandidatë: Agron Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Jetmir Tofaj nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Ruzhdi Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërsa, kandidati Fatos Shala nga Partia Demokratike e Kosovës i iku debatit për t’iu përgjigjur çështjeve me fokus- ndërtimet pa leje.
Plani i AAK-së për Junikun
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Komunës së Junikut, njëherësh ish-kryetar i kësaj komune, Agron Kuçi tha se ka për qëllim që Junikun ta bëjë “një komunë ekologjike, inteligjente, mikpritëse, ku të rinjtë e të rejat punojnë e jetojnë nga turizmi, agro-turizmi dhe bizneset e vogla e të mesme”.
Sipas tij, ky vizion mbështetet në katër shtylla kryesore: zhvillimi i ekonomisë rurale dhe agro-turizmit; promovimi i turizmit dhe trashëgimisë kulturore e historike; përmirësimi i infrastrukturës dhe mjedisit; si dhe forcimi i aftësive, qeverisjes dhe partneritetit.

“Ashtu që në bazë të mundësive dhe potencialeve ekonomike, sociale, kulturore, natyrore e historike, vizioni për Komunën e Junikut në mandatin e ardhshëm 2025-2029 është: Porta e Bjeshkëve të Nemuna dhe kullat e Dukagjinit, një komunë ekologjike, inteligjente, mikpritëse, ku të rinjtë e të rejat punojnë e jetojnë nga turizmi, agroturizmi dhe bizneset e vogla e të mesme” – tha Kuçi.
Në mesin e projekteve të paralajmëruara, Kuçi përmendi ndërtimin e kompleksit qendror në sheshin “Edmond Hoxha” dhe të kompleksit “Moronica Junik”.
Po ashtu, ai ka paralajmëruar subvencionime për bizneset e vogla dhe të mesme, me fokus tek agro-turizmi, gastronomia, artizanët, operatorët turistikë dhe bujtinat që do të ofrojnë akomodim për vizitorët.
“Ndërtimi i kompleksit rinor, qendra rinore me hapësira, me pishina dhe të tjera, ndërtimi i stadiumit të futbollit, palestra sportive në gjimnazin ‘Kuvendi i Junikut’”- ka shtuar Kuçi.
Prioritetet e LVV-së për Junik
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Junikut, Jetmir Tofaj, si përket vizionit të tij, theksoi se prioritet mbetet zgjidhja e problemeve aktuale, duke filluar nga siguria dhe rregullimi i qendrës së qytetit.
“Pra, pa siguri nuk ka zhvillim. Do të përfundojmë rregullimin e lumit Erenik për ta mbrojtur qytetin nga përmbytjet dhe do të ri-kualifikojmë qendrën e vjetër me trotuare moderne, ndriçim, hapësira të gjelbra dhe shëtitore” – deklaroi kandidati i LVV-së.
Një tjetër çështje që Tofaj e cilësoi urgjente është furnizimi me ujë të pijshëm. Ai tha se lagjja “Agim Ramadani” përballet me probleme të cilësisë, ndërsa pjesa tjetër e qytetit me mungesë uji.

“Në lagjen ‘Agim Ramadani’, në secilën shtëpi do vendosim filter që do bëjë pastrimin e turbullirës për të vazhduar pastaj me zëvendësimin e gypave të azbestit. Për pjesën tjetër të qytetit do ndërtojmë rezervuar dhe do shikojmë t’i identifikojmë avaritë ose humbjet dhe keqpërdorimet” – tha Tofaj, duke shtuar se kjo do të bëhet në bashkëpunim me kompaninë rajonale “Hidrodrini”.
Në planin e tij përfshihet edhe elektrifikimi i Bjeshkëve të Nemuna, që sipas tij është kusht për zhvillimin e turizmit malor.
“Elektrifikimi është parakusht për ndërtimin e resorteve dhe partneriteteve publiko-private që do e zhvillojnë bjeshkën tonë” – tha Tofaj, duke theksuar bashkëpunimin e pritshëm me qeverinë dhe KEDS-in.
“Ne do të kemi program të përhershëm bursash, jo vetëm shpërndarje gjatë fushatave. Do të përmirësojmë shkolla, do të mbështesim mësimin gjithë-ditor dhe do të investojmë në sport, fusha futbolli, palestër boksi dhe kushte për klubet tona. Por përveç tyre, rinia jonë ka nevojë edhe për teknologji dhe inovacion. Do të krijojmë hapësirat digjitale” – ka përfunduar ai.
Platforma e LDK-së për Junik
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, nisi dy-minutëshin e tij duke prezantuar arritjet e katër viteve të fundit dhe vizionin e tij për mandatin e ardhshëm 2026-2029.
Sa i përket vizionit të tij për mandatin e ardhshëm përmendi projektet në infrastrukturë, turizëm, shërbime publike, shëndetësi dhe arsim.
“Në mandatin 2026-2029 do të ndërtojmë sheshin e ri ‘Edmond Hoxha’. Do rikonsturojmë shtratin e lumit Erenik me ndriçim dhe shtigje të ecjes. Do të ndërtojmë drenazhe për rritjen e kapaciteteve me furnizim të ujit të pijshëm. Rezervuar 1,200 kubikësh. Në lagjen ‘Pepl’, do ta bëjmë edhe një rezervuar si dhe separatorin për largimin e turbullirave të ujit të burimit të Shkozës për lagjen ‘Agim Ramadani’” – u shpreh kandidati i LDK-së.

Shehu premtoi gjithashtu investime në fushën e sportit dhe kulturës.
“Do të ndërtojmë fushën sportive në shkollën fillore, palestrën e mbyllur te gjimnazi, fushë të hapur sportive dhe kënd për fëmijë në lagjen ‘Berishë’, pishinë gjysmë-olimpike dhe shtëpinë e kulturës,” – tha ai.
Në turizëm, sipas tij, synohet modernizimi i plotë i shtigjeve malore. “Në turizëm do të bëhet shenjëzimi i shtigjeve, skijimi ‘free ride’ në Bjeshkët e Junikut, ndërtimi i teleferikut, shtigje të reja për hiking dhe çiklizëm, zona kampingu, pika vrojtuese panoramike dhe digjitalizim të plotë të shtigjeve malore duke kthyer Junikun në destinacion turistik modern” – theksoi Shehu.
Në shërbimet publike, ai paralajmëroi projekte për riciklimin e mbeturinave, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe ndriçimit publik, si dhe investime në rrjetin elektrik në zonat malore. Po ashtu, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare planifikon të ndërtojë ashensor për persona me aftësi të kufizuara dhe të mbulojë shpenzime shëndetësore për të sëmurët kronikë, lehonat dhe rastet e varrimeve.
Kandidatët për kryetar të Junikut u pyetën për planet e tyre në zhvillimin e qytetit të Junikut dhe në zonën e Gjeravicës.
Kandidati i LDK-së Ruzhdi Shehu, tha se plani zhvillimor komunal i Junikut është hartuar në vitin 2008 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2009, duke përcaktuar nivelin e ndërtimeve në qendër të qytetit.
“Në qytet ka qenë plani zhvillimor komunal i hartuar në 2008-tën, që e ka marrë në dorëzim kryetari që ka ushtruar funksionin e vet 12 vite, ka përcaktuar nivelet e etazhitetit të gjitha, por me një vendim të Kuvendit në kohën e tij është bërë ngritja në P+7 në qendër. Është, kemi vendim, është vendim i Kuvendit komunal,” – ka thënë Shehu.
Sa i përket zhvillimit të Bjeshkëve të Junikut, ai theksoi se nuk do të ketë ndërtime pa plane të detajuara.
“Sa i përket Bjeshkës, ne do të bëjmë planet e hollësishme me ekspertë të fushave të ndërtimit dhe të turizmit. Nuk mund të nisim asnjë objekt pa pasur plane të hollësishme për Bjeshkë” – deklaroi kandidati i LDK-së.
Ai e përjashtoi mundësinë për ndërtime më të larta në qytet se sa përdhesë, plus shtatë kate.
Shehu megjithatë la të hapur mundësinë për ri-shikim të planit në të ardhmen.
“Ndërrimi i planit do të bëhet, po a do të preket, nuk e di. Ekspertët do ta shikojnë” – u shpreh ai.
Ndërsa, kandidati i LVV-së, Jetmir Tofaj tha se në qendër do të lejojë tetë kate ose përdhesë, plus shtatë kate të tjera.
“Prandaj për qendër maksimumi që do lejohet është 8 kate ose përdhesa + 7 kate të tjera. Për Bjeshkët e Nemuna kjo është e rregulluar qartë me infrastrukturën dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. E kemi ligjin për parkun kombëtar, Bjeshkët e Nemuna miratuar në vitin 2013.” – u shpreh
Sipas tij, duhet një ri-definim i zonave edhe për të ruajtur edhe trashëgiminë kulturore, historike, për të cilën tha se “do ketë bashkëpunim të ngushtë me ekspertë për këtë çështje.”
Ndërsa, kandidati i AAK-së, Agron Kuçi tha se është i mendimit që të vazhdoj me planin i cili e rregullon të jetë përdhesë plus 7 kate të tjera, në zonën e parë kryesisht.
“E kemi parë të arsyeshme atëherë dhe unë prapë qëndroj që në bazë të kërkesave dhe të qytetarëve, por dhe mendimin e ekspertëve që do ta marrim patjetër, që do ta ri-shikojmë se cili do të jetë një qëndrim. Do të thotë të jetë një qëndrim i përbashkët me këshilla, me qytetarë, me ekspertë që të mos ketë pakënaqësi, por të jetë i pranueshëm, të ketë një konsensus të përgjithshëm.”
“Zona e parë do të jetë shtatë kat. Zona të tjera unë mendoj që edhe nuk ka kërkesa” – tha ai.
Arsimi – Vizioni i kandidatëve për mësimin gjithë-ditor
Kandidatët për kryetar të Komunës së Junikut premtuan pilotim të një shkolle me mësim gjithë-ditor.
“ Gjithsesi, gjithsesi… në një shkollë” – u përgjigj Agron Kuçi nga AAK.
Ndërsa, kandidati Jetmir Tofaj (LVV) tha se do të fillojnë pilotimin në shkollën fillore “Edmond Hoxha”.
“Por si parakusht është ndërtimi i infrastrukturës. Pra, do të ndërtojmë kuzhinën, e cila është e nevojshme për fillimin e mësimit gjithë-ditor” – premtoi Tofaj.
“Vitin e parë do të fillojmë me dy orë shtesë, për të vazhduar duke shtuar gradualisht orët. Në përfundim të mandatit, mësimi gjithë ditor do të funksionojë plotësisht” – vazhdoi ai.
Përderisa edhe kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu premtoi të njëjtën.
“Ne gjatë mandatit do ta bëjmë. E kemi dhënë premtim publik.Në një shkollë. Është vetëm një. Por ka rëndësi të theksohet se çerdhen apo kopshtin parashkollor e kemi funksionalizuar dhe ndërtuar. Është bërë shumë i qartë” – tha Shehu.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12.10.2025.