Foto: Policia e Kosovës
Dy shtetas të Kolumbisë dyshohet se mashtruan punëtorët e këmbimorëve, arrestohen nga Policia
Dy shtetas të Kolumbisë janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se kanë kryer disa raste të mashtrimit.
Një 47-vjeçar e 28-vjeçar, u arrestuan nën dyshimin se kanë marrë nga punëtorë të këmbimorëve shuma të ndryshme të parave duke i mashtruar, apsi gjatë rinumërimit kanë fshehur një shumë parash derisa kanë qenë duke i konvertuar.
Policia ka thënë se gjatë arrestimit të dy shtetasve të Kolumbisë kanë sekuestruar një sasi të parave që dyshohet të jenë përfituar duke kryer vepra mashtrimi.
Të arrestuarit, me vendim të prokurorit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Policia tha se duke mbështetur në rezultate e para të hetimit, është ngritur dyshimi i bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi edhe jashtë rajonit të Prishtinës.
Po ashtu është thënë se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar.
Policia kërkoi nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar.