Prishtinë, Dogana konfiskon 120 telefona e orë të mençura në vlerë 60 mijë euro
Dogana e Kosovës sot, më 12.11.2025, ka zhvilluar një kontroll në një subjekt të shitjes së telefonave dhe pajisjeve të tjera në Prishtinë, me ç’rast ka gjetur dhe konfiksuar 120 telefona celularë të markave iPhone dhe Samsung, pesë ora të mençura të markës ‘Apple’ si dhe disa kufje origjinale të kësaj marke.
Operacioni është zhvilluar nga Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare.
Në pamjet e publikuara nga Dogana shihet se pronari i dyqanit telefonat dhe pajisjet e tjera i kishte fshehur në një pjesë të posaçme të tavolinës.
Vlera e përgjithshme e mallit të konfiskuar, sipas Doganës, është rreth 60 mijë euro.
“Ky operacion është pjesë e angazhimeve të përbashkëta të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në luftimin e të gjitha formave të kontrabandës dhe krimit ekonomik, me qëllim të mbrojtjes së tregut të brendshëm, interesit fiskal të shtetit dhe konkurrencës së ndershme”- thuhet në njoftimin e Doganës.