Foto: Dogana e Kosovës/Facebook
Dogana kap pjesë të veturave të padeklaruara në një “Old Timer” në Vermicë
Një veturë “Old Timer” është ndaluar nga zyrtarët doganorë në pikën kufitare në Vërmicë, pasi gjatë kontrollit janë gjetur mallra të padeklaruara.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të detajuar, janë zbuluar autopjesë të ndryshme, të reja dhe të përdorura, të cilat ishin të vendosura në bagazh, në pjesën e përparme dhe të pasme të veturës.
Sipas njoftimit të datës 30.09.2025, ky veprim përbën shkelje ligjore, teksa malli dhe vetura janë ndaluar përkohësisht.
“Ky veprim përbën kundërvajtje doganore për mosdeklarim të saktë të mallrave, duke shkelur rregullat ligjore dhe duke rrezikuar sigurinë e tregut vendor. Automjeti dhe mallrat e padeklaruara janë ndaluar përkohësisht në PKK Vermicë, dhe po ashtu është iniciuar procedura ligjore dhe administrative përkatëse në lidhje me rastin” – thuhet në komunikatën e Doganës.
Dogana ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet e rrepta për të parandaluar veprimtaritë e paligjshme në kufi.