Çfarë premtimesh dhanë gjashtë kandidatët për kryetar të Gjakovës?
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 16 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 17 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 18 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 19 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Zhvillimi ekonomik, trajtimi i ujërave të zeza, kyçja e të gjitha fshatrave në sistemin e ujësjellësit e përmirësimi i shërbimeve publike, janë disa prej premtimeve të gjashtë kandidatëve për kryetar të Komunës së Gjakovës.
Gjakova përballet me telashe në disa fusha si arsimi, shëndetësia, urbanizmi e shërbimet publike.
Gjashtë kandidatët për kryetar të kësaj Komune premtuan investime në infrastrukturë rrugore, kyçje në sistem të ujësjellësit për të gjitha fshatrat e trajtim të ujërave të zeza.
Në Gjakovë, sipas matjeve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, jetojnë 78 mijë e 824 banorë, apo 15 mijë e 732 banorë më pak se në matjet e vitit 2011.
Në “Debat Përnime”, që u transmetua më 29.09.2025, morën pjesë gjashtë kandidatët për kryetar të Komunës së Gjakovës: Anton Shala nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ervin Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Mehmet Krasniqi nga Iniciativa qytetare “Ndryshe – UDK” dhe Shefqet Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Planet e kandidatëve për qeverisjen e re
Kandidati i PSHDK-së, Anton Shala, tha se programi i tij bazohet në pesë shtylla kryesore.
“Pika e parë është zhvillimi ekonomik, si një potencial i mundshëm në Gjakovë, falë natyrës së saj dhe relievit të saj gjeografik. Pika e dytë do të jetë investimi në turizëm dhe promovimi i tij, sepse ka potencial. Pastaj do të shkojmë te përkrahja dhe investime të mëtutjeshme në shërbimet publike dhe infrastrukturën, me prioritet kryesor ujërat e zeza, të cilat janë një pikë e zezë për Gjakovën” – tha Shala në “Debat Përnime”.
“Pastaj pika katër do të jetë arsimi dhe shëndetësia, si dhe bujqësia me agrokulturën, si prioritet për Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës” – tha tutje kandidati për kryetar të Gjakovës.
Ai përmendi edhe disa pika të veçanta të planprogramit për katër vitet e ardhshme.
“Do të ndajmë grante, natyrisht do t’i përkrahim ato. Në veçanti do të përkrahim grantet e vogla familjare, të cilat janë të rëndësishme për një zhvillim lokal. Po ashtu do të heqim taksën në biznes mbi firma, që është detyrë jona. Turizmi është një fushë e mirë që ka mundësi dhe potencial. Gjakova ka reliev të bukur dhe natyrisht ne mendojmë që duhet të krijojmë disa basene akumuluese që mund të rigjenerojnë rrymë elektrike” – deklaroi Anton Shala nga PSHDK.

Premtime për Gjakovën dha edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola. Ai përmendi investimet e nivelit qendror për zhvillimin e ekonomisë ndërsa pati premtime edhe një zonë ekonomike disa hektarëshe.
“Tashmë është zyrtarizuar edhe nisma për të ndërtuar industrinë e prodhimit të dronëve, ushtarak dhe civil. Normalisht, kjo është vetëm një pjesë e zhvillimit të fushës ekonomike” – tha Gola në “Debat Përnime”.
“Ne premtojmë nisjen e menjëhershme për zonën industriale me 50 hektarë, ku do të ndërtojmë një infrastrukturë të përshtatshme për bizneset. Kemi idenë për “Gjakova Tech Hub”, që do të jetë një hapësirë e re, qoftë për tërheqjen e kompanive të ICT-së që kanë rejting ndërkombëtar, qoftë përmes aplikimit të modelit të “Young Sell Scheme” përmes dhënies së bursave për të rinjtë” – premtoi kandidati i Vetëvendosjes.
Ardian Gola premtoi edhe hapjen e një muzeu të luftës, si një dokumentim i së kaluarës dhe potencial turistik.
Në sektorin e kulturës, për shembull, ne kemi dalë me idenë e Muzeut të Luftës, i cili është edhe një dokumentim historik, por njëkohësisht edhe potencial turistik. Ndërsa, shpalosi edhe planin për fushën e arsimit.
“Në shkollë me model kabinetik të shkollimit, shërbimin geriatrik e garantojmë në fushën e mjekësisë. Për secilën prej këtyre, ne kemi edhe ide, por edhe projekte konkrete” – tha Ardian Gola.

Kandidati i AAK-së, Ardian Gjini, që drejton Gjakovën që dy mandate radhazi, po synon edhe për katër vite udhëheqjen lokale në Gjakovë.
Ai në “Debat Përnime” përmendi pikat kryesore të programit, të cilat, sipas tij, ndahen në katër fusha.
“Në qytet e kemi konceptin e tre lumenjve dhe të liqenit, i cili është duke u implementuar dhe do të përfundojë. Nëpër fshatra do të orientohemi në trajtimin e ujërave të zeza. Pjesë të tjera pothuajse janë kryer” – deklaroi Gjini i AAK-së.
“Trajtimi i ujërave të zeza do të ndodhë gjatë katër viteve të ardhshme plotësisht dhe Gjakova do të jetë i vetmi qytet, jo vetëm në Kosovë, por po besoj në të gjithë rajonin, që i ka të gjitha fshatrat e lidhura me ujë dhe të gjitha ujërat e zeza të trajtuara” – tha ai.
Kandidati i AAK- premtoi transport publik e ‘qytet të mençur’.
“Do të kalojmë totalisht në transport publik, të kombinuar edhe privat edhe publik, mirëpo me një shumicë të madhe publike. Elementi më kryesor do të jetë se të gjitha zonat e fshatrave dhe qytetit do të jenë të lidhura me linja të rregullta të autobusëve. E katërta që do të ndërlidhet shumë me të parën ka të bëjë me qytetin e mençur. Është diçka që e kemi nisur në vitin 2019, mirëpo tash do të vazhdojmë, edhe ndërlidhja do të jetë goxha e thjeshtë” – tha Ardian Gjini.

Në anën tjetër, kandidati i PDK-së, për kryetar të Komunës së Gjakovës, Ervin Shabani, tha se fokusi për qeverisjen e re në Gjakovë do të jetë në arsim.
“Do të organizojmë mësimin tërëditor, do të angazhohemi që gjatë mandatit tonë katërvjeçar të organizojmë mësimin tërëditor për të zgjidhur problemin e mësimit të kombinuar dhe numrit të vogël të nxënësve. Do të subvencionojmë bursa për nxënësit dhe studentët të cilët studiojnë dhe janë të suksesshëm në fusha deficitare” – tha Shabani në “Debat Përnime”.
Ai dha premtime edhe për shërbime në shëndestësi e subvencionimin e lindjeve të reja.
“Në shëndetësi dhe mirëqenie sociale do të organizojmë së paku dy qendra të mjekësisë familjare në qytet që të punojnë 24 orë, për të ofruar shërbime sa më të shpejta dhe sa më të mira për qytetarët e Gjakovës. Do të subvencionojmë secilin fëmijë që lind në komunën e Gjakovës, të cilët mesatarisht janë 1 mijë fëmijë që lindin në komunën e Gjakovës, do t’i subvencionojmë me 250 euro për secilin fëmijë” – tha ai.
“Në bujqësi do të rrisim buxhetin për bujqësi në 2.5 milionë euro, ku mesatarisht shërbime dhe përkrahje në pajisje do të jenë 1,700 euro për secilin fermer aktiv. Në kulturë, do të organizojmë festivalin më të madh që e ka parë Kosova, “Gjakova Fest”” – deklaroi kandidati i PDK-së, Ervin Shabani.

Si një kandidat i ri për kryetar të Komunës së Gjakovës, Mehmet Krasniqi, tha se synon ndryshime në qytetin e tij. Përvojën e fituar në Zvicër, Krasniqi tha se do ta sjellë në Gjakovë nëse zgjidhet kryetar.
“Në qoftë se qytetari i Gjakovës vërtet e kërkon ndryshimin, atëherë unë jam kandidati i duhur për ta bërë ndryshimin në Gjakovë. Platforma ime ka disa shtylla kryesore. Ekonomia dhe punësimi” – deklaroi Krasniqi në “Debat Përnime”.
“Investitorët nuk do të trajtohen si armiq, por si partnerë. Do të hapim një departament të posaçëm për investitorët nga diaspora shqiptare, me procedura të shpejta dhe lehtësira fiskale. Kemi rrjete të fuqishme të biznesit shqiptar në Zvicër, Gjermani, Amerikë, që janë të gatshëm të sjellin kapital dhe teknologji në Gjakovë” – tha Krasniqi.
Kandidati nga Iniciativa “Ndryshe – UDK” tha se do të ndërtojë spital të ri, shtëpi për pleq e arsim më cilësor.
“Brenda katër viteve do të ndërtojmë spitalin rajonal modern në Gjakovë, me pajisje helikopterësh për emergjenca kombëtare, në bashkëpunim me Kosovën, Shqipërinë dhe partnerë ndërkombëtarë si firmën gjermane të quajtur ADAC. Do të ndërtojmë edhe shtëpinë e pleqve, projekt i financuar nga mërgata, ku shërbimet e kujdesit të moshuarve do të mbulohen nga sigurimi dhe jo nga xhepi i qytetarëve. Arsimi do të lidhet drejtpërdrejt me tregun e punës” – tha Mehmet Krasniqi.

Në anën tjetër, planprogramin për katër vitetet e ardhshme për Gjakovën e shpalosi edhe kandidati i LDK-së, Shefqet Shehu.
“Po nisim me projektin më të përzemërt që e kam: Parkun e Biznesit në Gjakovë, i cili është derivat i zërit të dëgjuar gati për më shumë se disa vite, për të cilin ka nevojë për hapësira për zgjerimin e tij” – tha kandidati i LDK-së.
“Me theks të veçantë do të ketë edhe një qendër të teknologjisë, bashkëngjitur me të hapësira të mjaftueshme për inkubator biznesi dhe për start-up të reja” – tha tutje Shehu.
Tutje, ai tha se do të investojë edhe në projekte solare për prodhim të rrymës elektrike. Sipas tij, Gjakova ka potencial për zhvillimin e kësaj fushe.
Më tej, Shehu tha do të ketë autobusë elektrikë e investime në “qytetin e mençur’.
“Që këta autobusë të jenë të lëvizshëm, të saktë, të mirë siç duhet, atëherë domosdoshmërisht duhet që ta kemi edhe planin e mobilitetit, për të cilin siguroj që do ta bëjmë. Pas planit të mobilitetit, Smart City e ka fjalën e vet” – tha ai.
Ai premtoi edhe përkrahje e zhvillim të kulturës.
“Nuk duhet harruar asnjëherë vlerat gjakovare, traditën gjakovare, trashëgiminë gjakovare, për të cilën unë ju siguroj se për të gjitha ato vlera që ka Gjakova, përfshirë prej produkteve deri te kënga, prej artistëve e gjithandej, secila do ta ketë hapësirën e vet ekspozuese dhe promovuese, duke përfshirë panaire, festivale” – tha Shehu në “Debat Përnime”.

Komuna e Gjakovës i ka të miratuara dy dokumente që rregullojnë urbanizimin, Hartën Zonale dhe Planin Zhvillimor Komunal.
Megjithatë, ndërtimet pa leje kanë qenë problem i vazhdueshëm për këtë komunë. Sipas të dhënëve të vitit 2015, regjistri i ndërtimeve pa leje në Gjakovë tregon se janë 8 mijë e 501 ndërtime ilegale.
Kandidatët për kryetar të Gjakovës treguan vizionin rreth ndërtimeve.
“Normalisht ka raste kur është bërë tejkalimi. Nuk duhet mohuar se ka ndërtesa ku nuk ka parking, nuk ka gjelbërim, ka shumë defekte, dhe këtu normalisht se kanë efekt edhe në planin e mobilitetit pastaj që do ta ndërtojmë. Mirëpo, ne do t’i përmbahemi pikërisht ligjit i cili na detyron” – tha Shefqet Shehu nga LDK.
Kandidati i LDK-së premtoi që nuk do të ketë tejkalim të ndërtimeve përveç asaj që është e përcaktuar në Hartën Zonale.
Rishikim të dokumenteve që rregullojnë planin urbanistik premtoi kandidati Mehmet Krasniqi. Sipas tij, ligji do të respektohet.
“Në urbanizëm do ta rishikojmë edhe njëherë planin komplet. Plani aktual është i planifikuar, po gjithçka do ta rishikojmë edhe një herë, që a është bërë në bazë të ligjit. Unë si i rritur në Zvicër nuk njoh diçka tjetër përveç ligjit. Në bazë të ligjit do të zbatohen të gjitha gjërat” – tha Krasniqi.
“Po të them më shumë që janë jo në qytet brenda, por jashtë qytetit, që bëhen zona banimi. Unë aty nuk shoh kufizim, në qoftë se ka investime të mjaftueshme dhe rrethanat plotësohen me të gjitha kushtet. Sa për mua, ato ndërtesa le ta puthin edhe qiellin” – deklaroi Mehmet Krasniqi nga iniciativa qytetare “Ndryshe – UDK”.
Kandidati i PDK-së, Ervin Shabani, tha se do të angazhohet që secili ndërtim që ndodh të jetë sipas parimeve ligjore, me parkingje e gjelbërim.
“Problemi kryesor është se ndërtesat e vjetra që kanë qenë në Komunën e Gjakovës, në ato lagje, janë ndërtuar ndërtesa të reja, edhe nuk ka mbetur parking. E tash ata qytetarë e kanë problem parkingun, ata që e kanë pasur gjithmonë. Partia Demokratike e Kosovës do ta rishikojë Hartën Zonale në afatin e vet ligjor” – tha kandidati i PDK-së në “Debat Përnime”.
“Unë nuk do të lejoj ndërtim më të lartë se tetë kate” – premtoi ai.
Dokumentet strategjike, si Harta Zonale dhe Plani Zhvillimor Komunal, tha se do të respektohen edhe kryetari aktual i Gjakovës, kandidati nga AAK, Ardin Gjini.
“Janë dokumente për të cilat është marrë shumë kohë. Maksimumi i etazhitetit në pjesën dërrmuese ku lejohet është P+7+KSH (Përdhesë + Shtatë kate + Kulm i Shtëpisë). Këtu shkruan në dokument. Domethënë, nuk është më vullneti im ose vullneti i kujtdo me leju ose mos me leju” – tha Gjini.
“Zona e vjetër e qytetit është e ngrirë, nuk ndërtohet. Çabrati, jo që jo, Shkugëza, jo që jo. Ka pjesë të cilat kanë përfunduar si zona urbane, të cilat nuk preken më” – deklaroi Ardian Gjini i AAK-së.
Vizionin për ndërtimet në qytetin e Gjakovës e dha edhe kandidati i Vetëvendsojes, Ardian Gola.
“Katet janë të definuara me Hartën Zonale. Ne nuk mundemi t’i luajmë ato, deri kur ta ndryshojmë. Po, për ato pjesë ku ne do ta rishikojmë, unë nuk e kam problem lartësinë e banimit kolektiv, për aq sa banimi kolektiv i projektuar aty i paraprin një lloj planifikimi i mirëmenduar, ku ka hapësira komunitare, ka infrastrukturë të qëndrueshme që përputhet me nevojat e komunitetit që jetojnë në atë banim kolektiv” – deklaroi Gola në “Debat Përnime”.
Në anën tjetër, kandidati i PSHDK-së tha se breënda qytetit nuk do të lejohen ndërtime të larta mbi 10 kate.
“Kjo do të varet varësisht prej hapësirave. Nëse në një vend mjedisor ka hapësirë ndërtimi, ka hapësirë gjelbërimi, ka hapësirë parkingu, ato mund të shkojnë në etazhitet, sepse nuk pengohen, nuk janë penguese. Mund të shkojnë në 10, mund të shkojnë në 12, mund të shkojnë në 13, por jo brenda qytetit. Nuk do të lejohen ashtu, sepse ato e ngulfasin, s’ka hapësira gjelbërimi, s’ka mundësi parkingu” – deklaroi Shala.
Arsimi
Në gjakovë, si në shumicën e qytetve të Kosovës, ende nuk ka nis mësimi gjithë-ditor. Kandidatët për kryetar të kësaj komune premtuan nisjen e mësimit gjithëditor.
“Unë mendoj që në të gjitha fshatrat e Komunës së Gjakovës. Nuk e di a kam me mundur t’i përfundoj, po kam me u munduar, sidomos në fshatra, edhe një shkollë të paktën në qytet, për shkak të numrit të vogël të nxënësve” – premtoi Ervin Shabani nga PDK.
Premtime në këtë fushë dha edhe kandidati i AAK-së, Ardian Gjini.
“Tani, si sistemi i shkollave, edhe mësimi gjithëditor do të nisë kur t’i kemi të përfunduara edhe disa pika infrastrukturore, për shkak se është e vërtetë që numri i nxënësve po bie. Disa shkolla do t’i shndërrojmë në qendra të komuniteteve, për shkak se do të mbyllen, nuk ka nxënës më. Edhe sipas planit të hartuar në vitin 2019, do të ketë grumbullim të nxënësve nëpër shkolla më të mëdha, ku ka salla të fizkulturës, kabinete e të tjera” – tha Gjini në “Debat Përnime”.
Sipas tij, aktualisht nuk ka asnjë shkollë me mësim gjithë-ditor, por do të nis një pilotprojekt.
Kandidati Mehmet Krasniqi pati një ide ndryshme për arsimin në komunën e Gjakovës.
“Arsimin ne do ta përshtatim sipas nevojave të tregut të punës. E preferoj arsimin të jetë arsim dual, domethënë teoria dhe praktika. Por, derisa nuk i kemi kushtet që ata nxënës t’i çojmë dhe ta kryejnë edhe praktikën, që ta marrin përvojën e punës, nuk besoj që mund të kemi zhvillim shumë të fortë. Ta bëjmë në shkollën gjithë ditor, apo ta bëjmë edhe sa për mua 24 orë, kur ata nxënës nuk i kanë mundësi të tjera të praktikohen dhe të bëhen domethënë të gatshëm për punë. Unë i shoh këto diploma në fund të shkollës si diploma që futen në fiokë dhe nuk ka shfrytëzim të tyre” – tha kandidati i iniciativës “Ndryshe – UDK”.
Planet për arsimin i dha edhe kandidati i Vetëvendsojës, Ardian Gola. Sipas tij, disa intervenime do të bëhën nëse ai zgjidhet kryetar i Gjakovës.
“Ne premtim programor e kemi parashkollorin tërëditor, pesë/gjashtë vjeçarët, për shkak se aktualisht nuk është. Dhe për këtë mësimin tërëditor kjo do të jetë rrjedhojë e vetvetishme e sistemit kabinetik, të cilin dëshirojmë ta implementojmë përmes një modeli ku nxënësit janë ata që lëvizin nëpër kabinete të specializuara. Kjo nënkupton njëkohësisht edhe ruajtjen e pajisjeve ilustruese të mësimit, sepse janë më të sigurta. Por njëkohësisht kjo do të na detyrojë gradualisht edhe të bëjmë reformën në kuptim të mësimit tërëditor. Do të fillojmë me pilotim” – tha Gola në “Debat Përnime”.
Kandidati i LDK-së tha se praktika e mirë në Prishtinë për mësimin gjithë-ditor do të bartet edhe në Gjakovë.
“Tashmë Komuna e Prishtinës ka guxuar një nismë ta marrë dhe e ka bërë. Ne do të marrim përvojat aty dhe do të fillojmë së aplikuarit si pilot projekt në njërën prej shkollave për mësimin tërëditor. Ku duhet theksuar se është shumë me interes të veçantë se cila ka me qenë lidhja, se çfarë fëmijët kanë me marrë përveç platformës kurrikulare. Unë pretendoj që aty të bëj një lidhje mes një gjenerate e cila i ka kaluar moshën 65-vjeçare, e nuk duhet lënë jashtë dore” – deklaroi Shefqet Shehu i LDK-së.
Mësimin gjithë-ditor premtoi edhe kandidati i PSHDK-së, Anton Shala.
“Do t’i heqim gjithsesi paralelet e ndara që kanë pesë, gjashtë nxënës, që fatkeqësisht ka, dhe do t’i heqim të gjitha ato, sepse nuk ka cilësi, nuk ka mundësi që të zhvillohet mësim i kombinuar në këtë kohë, dhe këtë do ta bëjmë sa më shpejt. Ndërsa sa i përket shkollave të mësimit gjithë ditor, do të fillojmë me pilot projekte, domethënë dy në qytet, dy në një fshat. Por mos të harrojmë se duhet të shkojmë hap pas hapi” – deklaroi Shala.