Bllokada institucionale: ish-kryeministri Hoti i sheh Zgjedhjet si zgjidhje
Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti i sheh Zgjedhjet si zgjidhje për tejkalimin e bllokadës së krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook ai ka shprehur bindjen se pas 27 dështimeve për konstituimin e Kuvendit “është e qartë se partia e parë ka dështuar të formojë shumicën parlamentare”.
“Rrjedhimisht ajo (LVV) duhet ta pranojë këtë dhe të kërkojë konsultime me partitë e tjera për modalitetet kushtetuese të daljes nga kriza politike.” – ka shkruar Hoti.
Deputeti i zgjedhur nga radhët e LDK-së ka folur edhe për propozimin e partisë së tij për Qeveri të tranzicionit.
Për këtë propozim sipas tij duhet konsensus, e që “duket qartë se nuk ekziston”.
Në një situatë të tillë kur partitë nuk mund të merren vesh për të formuar shumicë parlamentare Hoti konsideron se duhen Zgjedhjet e reja.
“Rrjedhimisht është detyrim i forcave politike që të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re Zgjedhjesh. Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani.” – ka shkruar Hoti mes të tjerash.
Ish-Kryeministri ka thënë se është papërgjegjësi e forcave politike nëse krizat thellohen e zgjasin, ndonëse ato në demokraci mund të ndodhin.
Kriza ka krijuar kosto për qytetarët dhe bizneset sipas Hotit.
“Pavarësisht të drejtës që ka partia e parë që del nga Zgjedhjet për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe për të marrë e para mandatin për formimin e Qeverisë, institucionet e reja që duhet të dalin nga Zgjedhjet nuk mund të formohen pa u siguruar shumica parlamentare.” – shkruan Hoti, duke shtuar se kjo është rregull elementare e sistemit kushtetues të Kosovës.
Për herë të 27-të, më 05.06.2025, ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Më 50 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë abstenim Kuvendi nuk ka arritur të votojë Komisionin për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.
PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK nuk i kanë dhënë sërish propozimet për anëtarë të këtij Komisioni, sikundër që nuk kanë marrë pjesë as në votim.
Në mungesë kuorumi për votim kryesuesi i seancës Avni Dehari e ndërpreu seancën dhe paralajmëroi vazhdimin e saj më 07.06.2025, në ora 11:00.