Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM
Bislimi njofton BE-në për bllokimin e mjeteve nga Serbia për tekstet shkollore të nxënësve shqiptarë në Luginë
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, lidhur me bllokimin e mjeteve të alokuara për tekstet shkollore për nxënës shqiptarë në Luginën e Preshevës nga banka pranuese në Serbi.
Sipas tij, kjo çështje tashmë ka marrë karakter të pengesës sistematike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH). Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale”- shkroi Bislimi. “Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.”- theksoi Bislimi.
“Ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë”- shtoi më tej Bislimi.
Tutje, Bislimi potencoi se e njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht.
“Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ”- shtoi më tej ai.
Bislimi bëri të ditur se institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Europian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”- përfundoi ai.
Më 10.10.2025, Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë mbi 300 mijë euro për tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Mjetet sipas ekzekutivit, janë ndarë sipas Memorandumit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, për pajisjen me 35,448 tekste shkollore për 3,650 nxënës shqiptarë të shkollave fillore të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe për avokimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse.