Foto: MPJD
Arrestimi i Avni Qenajt në Serbi, MPJD tregon veprimet e ndërmarra për të konfirmuar rastin, arsyet e ndalimit dhe vendndodhjen e tij
Mnistria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar pas marrjes së informacionit mbi arrestimin e Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka ndërmarrë veprimet e para duke i adresuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale ku ai po mbahet, si dhe çdo informacion tjetër të domosdoshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit.
Paralelisht, thuhet më tej në njoftim, Zyra e Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe delegacionin e Bashkimit Europian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra.
“Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës. Zyra e Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”- thuhet në njoftim.
MPJD rithekson angazhimin e saj për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit dhe siguron se opinioni publik do të informohet me kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha zhvillimet.
Edhe një herë, MPJD i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.