Izmir Zeqiri
Betohet kryetari i ri i Zubin Potokut, zotohet se do të punojë për të gjithë
Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri menjëherë pas betimit ka folur para mediave të pranishme, duke thënë se do të punoj për të gjithë komunitetin e kësaj komune, pa dallime.
Zeqiri ka thënë se si do të shkojë në objektin e komunës dhe nga aty do të nis puna e tij si kryetar i ri.
Tutje ai ka deklaruar se pret që pjesë e ekipit të drejtorive të jenë edhe profesionistë serbë që jetojnë në Zubin Potok.
Para gazetarëve ai nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet në gjuhën serbe nën arsyetimin se mos të keqkuptohet në ndonjë fjali.
Zeqiri betimin e tij e bëri në objektin e komunës por në Zyrën Lokale për Komunitete e cila gjendet në fshatin Çabër.
Objekti i këtij institucioni lokal u sigurua fillimisht nga organet e rendit e sigurisë të Policisë së Kosovës, ndërsa në afërsi u panë edhe pjesëtarë të KFOR-it edhe EULEX-it.
Ekipe të këtyre misioneve ndërkombëtare dhe të policisë u panë në lokacione të ndryshme.
Pasi kreu edhe deklarimet, kryetari Zeqiri u përcoll nga ekipet policore e mbrojtja e afërt.
Për dallim nga kryetari i Mitrovicës Veriore, tre kryetarët e tjerë, dy të Partisë Demokratike të Kosovës dhe një tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të betohen në objektin e kryetarit të Komunës apo Kuvendit Komunal, por në hapësira të tjerë publike.
Kryetari i komunës së Zveçanit, kandidati i PDK-së Ilir Peci, ceremoninë e betimit do ta mbajë në objektin e shkollës “Isa Boletini”.
Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.