ILUSTRIM
Auditori gjen mangësi në menaxhimin e një Kontrate në MPJD: Nuk u mbajtën evidenca të shfrytëzimit të Kontratës
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur mangësi në menaxhimin e një Kontrate nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Në Raportin për Pasqyrat Financiare Vjetore të MPJD-së për vitin 2024 thuhet se Ministria më 30.11.2023 kishte lidhur Kontratë “Furnizime të ndryshme për nevojat e MPJD-së” – bazuar në çmimin e peshuar për njësi.
Sipas ZKA-së vlera e parashikuar ishte 120,000 euro, ndërsa çmimi me peshim ishte 74.13 euro.
“Në këtë Kontratë ishte caktuar pesha për njësi, mirëpo me rastin e realizimit të Kontratës nuk ishin mbajtur evidenca (Raporte) detaje lidhur me shfrytëzimin e Kontratës – sipas peshave të caktuara në pozicione.” – thuhet në gjetjen e ZKA-së.
Sipas Auditorit kjo kishte ndodhur për shkak të ndërrimit të menaxherit të Kontratës, me rastin e angazhimit në përfaqësi diplomatike.
ZKA ka rekomanduar se Ministrja duhet të sigurojë se menaxherët e Kontratave mbajnë evidenca me detaje të plota dhe të sakta lidhur me realizimin e Kontratave, në mënyrë që furnizimet të jenë në përputhje me kushtet e kontraktuara.
MPJD është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.
Në një rast tjetër ZKA ka gjetur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) funksionon pa një Rregullore të brendshme që rregullon procesin e rekrutimit të stafit lokal në misionet diplomatike.
Në Raport thuhet se një dokument i tillë është i domosdoshëm për të përcaktuar qartë procedurat e pranimit, kriteret e përzgjedhjes, të drejtat dhe detyrimet e stafit lokal, si dhe për të rregulluar aspektin e pagesës dhe përgjegjësive të tyre.
“Gjatë testimit të dy procedurave të rekrutimit për stafin lokal, njëra në Ambasadën e Kosovës në Bern dhe tjetra në Konsullatën në Cyrih, në të dy rastet kemi vërejtur se procesi i pranimit apo rekrutimit nuk është bazuar në ndonjë Rregullore të veçantë të MPJD-së. Po ashtu, Kontratat e punës nuk përmbajnë preambulë ku të bëhet referimi ligjor mbi të cilin është bazuar rekrutimi. Për më tepër pagat e stafit paguhen nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.” – thuhet në gjetjen e ZKA-së.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka marrë Opinion të pamodifikuar për Pasqyrat financiare vjetore. Ky Opinion i dhënë nga ZKA është Opinioni më i mirë që i jepet një institucioni dhe do të thotë që Pasqyrat financiare janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në Raportin e vitit 2023 MPJD kishte marrë 6 Rekomandime. Prej tyre deri në fund të vitit 2024 sipas Auditorit MPJD i ka zbatuar 5 Rekomandime, ndërsa 1 Rekomandim nuk e ka zbatuar.
Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.
https://kallxo.com/lajm/auditori-mpjd-funksionon-pa-rregullore-te-brendshme-per-rekrutimin-e-stafit-ne-misionet-diplomatike/