Kuvendi i Kosovës. Foto:KALLXO.com
Ankesa e Listës Serbe, deputetët kanë afat deri më 22 tetor t’i dërgojnë komentet në Kushtetuese
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 22 tetor t’i dërgojnë komentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ankesën e Listës Serbe.
Kështu ka thënë zëvendës sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi për KALLXO.com.
Më 16 tetor 2025, Lista Serbe ka dorëzuar sërish ankesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese tha për KALLXO.com që kërkesa e Listës Serbe aktualisht është duke u proceduar nga Gjykata- pa dhënë detaje më shumë.
Lista Serbe ka kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet drejt formimit të Qeverisë. Afati i fundit për thirrjen e seancës për formimin e Qeverisë është 26 tetori, që i bie 15 ditë nga dita prej kur u dekretua mandatari Albin Kurti.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e hapur më 15.04.2025 është shpallur e përfunduar nga kryetari i zgjedhur, Dimal Basha, meqë më 10.10.2025 është zgjedhur edhe nënkryetari i pestë i Kuvendit, nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq.
Pos deputetëve të LVV-së, për të votuan edhe deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky votim u realizua pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, por u kundërshtua nga Lista Serbe, nëntë deputetët e së cilës nuk i morën votat e duhura për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
Kushtetuesja kishte konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja kishte urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, më 11.10.2025 i dha mandatin Albin Kurtit për formimin e Qeverisë së re në vend.
Megjithatë ai më 14.10.2025 tha se koncentrimi gjatë këtyre ditëve ishte tek zgjedhjet lokale. Mirëpo, Kurti ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të nisë një plan konkret për këtë proces.
“Tepër shumë punë këto ditë …, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejtë të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por, po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë”- tha Kurti për media më 14.10.2025.