Aktakuzë ndaj Nazmi Mulakut dhe Përparim Ibishit, çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar më 17.07.2025 se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për veprat penale – ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, dhe – mashtrimi.
Dy personat e akuzuar në këtë rast janë Nazmi Mulaku dhe Përparim Ibishi.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.
Sipas aktakuzës, Mulaku dhe Ibishi në ordinancën “Bio Mulaku”, në Vushtrri, me dashje dhe në bashkëkryerje, pa pasur kualifikim profesional, kanë kryer trajtime mjekësore dhe kanë pretenduar se shërojnë sëmundje të ndryshme dhe zgjidhin problemet e qytetarëve.
“Deri ne datë 16 korrik 2024, në ordinancën “B. M.” në Vushtrri, të pandehurit me dashje, në vazhdim dhe në bashkëkryerje pa pasur kualifikim profesional kryejnë trajtime mjekësore dhe angazhohen në aktivitete mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, ashtu që pretendojnë se shërojnë sëmundje të ndryshme dhe zgjedhin problemet e qytetarëve, të cilat edhe i postojnë në rrjetet sociale duke pretenduar se i shërojnë, në atë mënyrë që “pacientëve” – të dëmtuarve ju japin tableta dhe çajra të ndryshëm, ujë i cili nuk i plotëson normat për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor.” – thuhet në njoftim.
Më tej, sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit me dashje, në vazhdim dhe në bashkëkryerje me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, i vënë në lajthim qytetarët dhe me këtë i nxitin që të kryejnë një veprim i cili rezulton me dëm material të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që përmes rrjeteve sociale bëjnë thirrje për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dhe duke e shfrytëzuar kështu gjendjen e rëndë shëndetësore, sociale dhe emocionale të të dëmturëve, në atë mënyrë që për një kontroll i marrin nga 100 euro dhe për terapi deri në 30 euro.
Në njoftim tutje thuhet se Prokuroria e Mitrovicës me dy të pandehurit Nazmi Mulaku dhe Përparim Ibishi ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, me ç’rast të pandehurit pranojnë veprat e kryera penale, dhe pajtohen t’i rekomandojnë Gjykatës që t’u shqiptojë dënim me gjobë dhe dënim me burgim, i cili me pëlqimin e tyre të zëvendësohet në dënim me gjobë në vlerën e përgjithshme prej shtatëdhjetë mijë (70,000) euro.
Ndryshe, KALLXO.com më 16.07.2024 kishte raporuar se dy të pandehurit e sipërpërmendur ishin arrestuar në Vushtrri si të dyshuar për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike.
Nazmi Mulaku, i njohur në rrjete sociali si ‘Nazmi Bio Mulaku’, publikonte në vazhdimësi video, përmes të cilave pretendonte se po shëronte disa sëmundje.