Aktakuzë ndaj tre personave për mashtrim, detyrim, lajmërim apo kallëzim i rremë dhe për armëmbajtje pa leje
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën e Prishtinës ndaj tre personave, të akuzuar për veprat penale – mashtrim, – detyrimi, – lajmërimi apo kallëzimi i rremë, dhe – armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, K.K., gjatë viteve 2023-2024 në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar shumën prej 485 mijë eurosh, duke e mashtruar të dëmtuarin E.N. për të arritur një marrëveshje joformale për shitjen e disa banesave në pronësi të tij.
“Por i akuzuari pas arritjes së marrëveshjes nuk e ka kryer shitjen e banesave”- thuhet në njoftim.
Ndërsa A.M., sipas komunikatës, akuzohet për veprat penale – armëmbajtje pa leje, dhe – lajmërimi apo kallëzimi i rremë, pasi ka bërë një lajmërim të rremë ndaj të dëmtuarit E.N.
I akuzuari tjetër, D.M. bazuar në aktakuzë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka kanosur të dëmtuarin E.N. me qëllim që ta detyrojë të veprojë në dëm të pasurisë tij.