Agjencia Kadastrale me njoftim për qytetarët rreth procesit të Rindërtimit të Kadastrit
Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) ka njoftuar qytetarët se Projekti i Rindërtimit të Kadastrit ka hyrë në fazën e zbatimit në 115 zona kadastrale, që përfshijnë 32 Komuna të vendit.
Sipas Njoftimit të AKK-së aktualisht po zhvillohet fushata e matjeve në terren dhe se pjesëmarrja e bashkëpunimi i qytetarëve janë thelbësore për vijimin e suksesshëm e reciprok të këtij procesi.
Agjencia Kadastrale ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët kanë prona në zonat e përfshira që të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me Operatorët Ekonomik dhe të ofrojnë informatat e nevojshme për pronën e tyre.
AKK ka ndarë hapat për të verifikuar nëse prona juaj është pjesë e Projektit:
1. Vizitoni platformën zyrtare: https://geoportal.rks-gov.net/;
2. Aktivizoni shtresat “Rk2025” dhe “rrugët” në Panelin anësor;
3. Zonat kadastrale të përfshira do të shfaqen në hartë në mënyrë grafike.
Ky Projekt i nisur në mars synon të përmirësojë administrimin e pronës së paluajtshme duke harmonizuar të dhënat kadastrale me gjendjen faktike në terren, përkitazi të adresojë mospërputhjet mes të dhënave të Regjistrit pronësor dhe realitetit në terren, do të korrigjojë gabimet ekzistuese dhe përditësojë të dhënat kadastrale.
Elemente kyçe të tjera të Projektit janë edhe vetëdijësimi i qytetarëve për regjistrimin e pronës, promovimi i së drejtës së grave në trashëgimi dhe regjistrimi i pronës në emër të të dy bashkëshortëve. Realizimi i Projektit të RK kontribuon në një kadastër më të saktë, më modern, më të besueshëm dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët.