Salla e Kuvendit të Kosovës (21.04.2025), Foto: KALLXO.com
167 ditë pa rezultat - çfarë ndodhi nga mesnata e 9 shkurtit deri natën e 26 korrikut?
“Çfarë hajvanash”, ishte fraza që bëri bujë natën e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Këtë e tha Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, pasi e kuptoi se LVV-ja i ka fituar zgjedhjet, ndonëse jo sipas pritshmërisë në kohë fushate. Në sheshin kryesor të kryeqytetit, këtë ofendim ai u bëri konkurrentëve në zgjedhje- por pa ua përmendur emrat.
Pas kësaj deklarate, filluan refuzimet e partive tjera politike (PDK, LDK dhe AAK) për një bashkëpunim të mundshëm me partinën e udhëhequr nga Kurti. Më 15.03.2025 u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, me ç’rast doli se LVV kishte fituar 48 ulëse në Kuvend, PDK 24, LDK 20, AAK 5, NISMA 3, Lista Serbe 9 dhe partitë tjera të komuniteteve joshumicë 11 ulëse.
Në bazë të këtij rezultati, Lëvizja Vetëvendosje duhej të bashkëpunonte me ndonjë parti tjetër pasi që nuk i kishte 61 vota sa duhen për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe Qeverinë e re. Më 20.02.2025, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk e kishte përjashtuar mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Kush të më fton në tavolinë, unë shkoj, ulna, për Kosovën … Shkoj ulna për tema nacionale, s’është me rëndësi pozicionet… Çka po të vyen një qeveri jofunksionale … Në një qeveri që është kundër interesave të Kosovës, nuk futem” – deklaroi Limaj më 20.02.2025.
Para kësaj deklarate, partitë e ish-opozitës synonin që të formojnë Qeverinë ato, pa Lëvizjen Vetëvendosje. Pra një Qeveri mes PDK, LDK, AAK dhe NISMA, të cilat së bashku kishin fituar 52 ulëse në Kuvend, që nuk janë të mjaftueshme për të zgjedhur Qeverinë.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ishte ai që kishte deklaruar se synojnë formimin e ‘Qeverisë së opozitës’. Kjo ide, u konsiderua se u rrëzua nga Fatmir Limaj i NISMA-s pas deklaratës së tij që është i hapur për një koalicion me LVV-në. Ideja e Qeverisë së opozitës e propozuar dhe PDK por edhe AAK u refuzua edhe nga LDK dhe Kryetari i saj Lumir Abdixhiku, i cili deklaronte se nuk i kanë numrat për Qeveri.
Në ndërkohë, Qeveria Kurti 2 e përfundoi mandatin më 22.03.2025 dhe nga 23 marsi kaloi si Qeveri në detyrë. Me certifikimin e rezultatit zgjedhor, Presidentja e vendit Vjosa Osmani thirri seancës konstituive të Kuvendit, më datë 15.04.2025. “Sy e veshë” kah Kuvendi i Kosovës ishin më 15 prill, për të parë se çfarë do të ndodhë: si do të konstituohet Kuvendi, kush do jetë Kryeparlamentar dhe se mes çfarë bashkëpunimi do të formohet Qeveria e re.
Para kësaj date u fol për një marrëveshje mes LVV dhe NISMA-s se për postin e kryeparlamentarit mund të propozohej Fatmir Limaj. Kjo nuk ngjau, ndonëse vet Limaj e konfirmoi më vonë në një intervistë se kishin marrëveshje në parim me Kurtin për këtë gjë. “Në takimin e fundit kur kemi qenë vetëm unë dhe ai, kemi pasë një dakordim gojor dhe ai ka pasë me shku me bisedu me partnerët dhe partinë e vet, unë me shku me partinë time, kaq. Ne kemi pasë një dakordim gojor për këtë temë [çështjen e kryeparlamentarit], por ka mbetur Kurti të bisedojë edhe me partnerët e tij.”- shpjegoi Limaj më 26.05.2025.
Në seancën konstituive të 15.04.2025 nuk i erdhi fare rendi propozimit për Kryeparlamentar, kjo pasi që partitë e ish-opozitës nuk votuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, duke thënë që Kurti si Kryeministër në detyrë dhe ministrat e zëvendësministrat e tjerë që kishin fituar votat për deputetë, nuk mund t’i mbanin dy pozitat njëkohësisht- në Kuvend dhe Qeveri. Andaj, edhe kërkuan dorëheqjen e tyre nga ekzekutivi.
Ndonëse Kurti në emër të anëtarëve të Qeverisë kishte dorëzuar një letër në Kuvend që thoshte se që nga 23.03.2025 janë në detyrë/dorëheqje verifikimi i mandateve nuk kaloi në seancë konstituive. Betimi i deputetëve ndodhi tek më 19.04.2025 kur kaloi raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve. Deputetët e ish-opozitës e pranuan si dorëheqje njoftimin e Kurtit.
Seanca konstituive megjithatë sërish nuk rezultoi me sukses pasi që nuk u votua kandidatja e LVV për Kryeparlamentare, Albulena Haxhiu. Gjashtë herë u tentua dhe në të gjashtat herë, Haxhiu nuk arriti të marr 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.
Për këtë arsye kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ftoi në takim kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun më 01.05.2025. Derisa ky i fundit refuzoi ftesën, në takim mori pjesë i pari i PDK-së. Ky takim nuk pati rezultat dhe Kuvendi nuk u konstituua as pas vazhdimit të seancës më 1 maj.
Në këtë vazhdim, Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi formimin e një Komisioni për votim të fshehtë të Kryeparlamentarit. Ky propozim, pastaj është hedhur në votim deri në vazhdimin e fundit të seancës konstituive të orës 22:00 të datës 26.07.2025, por që asnjëherë nuk kaloi.
Pas këtij propozimi, më 05.05.2025, kryetari i LVV-së Albin Kurti i dërgoi letër kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, për të bërë koalicion qeverisës. Ky propozim u kundërshtua nga Abdixhiku i cili më 06.06.2025 doli me propozim të ri, për Qeveri të tranzicionit deri në zgjedhjen e Presidentit të ri në prill të vitit 2026. Por, ky propozim u refuzua apriori nga Lëvizja Vetëvendosje.
Çështja e votimit të fshehtë për Kryekuvendar u dorëzua në Gjykatë Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më 12.05.2025. Më 15.05.2025 Presidentja Vjosa Osmani zhvilloi takim me liderët e partive politike për të arritur një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, takim që rezultoi pa sukses. Presidentja ka zhvilluar edhe disa takime të tjera veç e veç me liderët por pa rezultat.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë dhënë për Tëvë1, më 02.07.2025, duke komentuar zhvillimet politike dhe ngërçin në vend, tha se nuk e sheh mundësinë e bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës dhe renditi disa arsyeve se pse ka një vendim të tillë. Kurti tha mes tjerash se PDK nuk është reformuar dhe se aty janë deri në 5 kryetarë partie dhe se i kanë dy ish kryetarë në Hagë që i konsultojnë për instruksione politike.
Gjykata Kushtetuese më 26.06.2025 nxori aktgjykimin përmes të cilit u dha 30 ditë afat deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin. Menjëherë pas këtij aktgjykimi Kurti thirri në një takim liderët e partive politike, për të arritur një zgjidhje për të konstituuar Kuvendin.
Më 28.06.2025, pak pas orës 16:00, kishte filluar takimi i thirrur nga kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, me përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike për daljen nga ngërçi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Takimi që zgjati më shumë se dy orë ka përfunduar pa u arritur ndonjë konsensus për dalje nga ngërçi. Pas këtij takimi, Kryesuesi i seancës konstituive vazhdoi me propozimin për votimin e Komisionit për votimin e fshehtë, meqë sipas interpretimit të LVV-së, Kushtetuesja nuk e kishte hedhur poshtë këtë opsion.
Kundërshtitë e tyre për votimin e këtij komisioni, PDK dhe LDK i dërguan në Gjykatë Kushtetuese më 03.07.2025 dhe 04.07.2025 respektivisht. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërkaq kërkoi nga Gjykata Kushtetuese vlerësim të kushtetutshmërisë në lidhje me votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, ndryshimin e rendit të ditës, sipas tyre në kundërshtim me rendin e ditës për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në ndërkohë, me kërkesë Kushtetueses iu drejtua edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. E para e shtetit, më 22.07.2025 i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me Kërkesë për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit.
“Kjo është një situatë e paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku përkundër Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm (30 ditësh), e që kanë mbetur edhe pak ditë (deri në skadim), dhe ende nuk shihet një konsensus për konstituimin e Kuvendit.” – ka deklaruar Osmani para mediave duke shtuar se ka kërkuar edhe masë të përkohshme.
Në ndërkohë, Kurti dhe Limaj ishin takuar përsëri për të arritur marrëveshje, në një konferencë për media Kurti më 21.07.2025 kishte thënë se ka ofertë konkrete për Limajn dhe se duhet të pritej deri në fund të javës kur ishte edhe përfundimi i afatit 30 ditësh të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur ex officio masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, krahas kërkesave të dorëzuara nga PDK dhe LDK. Me këtë vendim të datës 24.07.2025, në rast se nuk arrihet të konstituohet Kuvendi sikur është paraparë në afatin e mëparshëm të dhënë nga kjo Gjykatë (26 korrik), Kushtetuesja ua ndalon deputetëve që ndërmjet datave 27 korrik dhe 8 gusht të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit.
Deputetët e legjislaturës së nëntë për herë të fundit u mblodhën më 26.07.2025 ditë e shtune, dita e fundit e afatit për konstituim. U mblodhën në ora 14:00 dhe në ora 22:00. Në të dy herët, Kryesuesi Avni Dehari hodhi në votim propozimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë, në asnjërën herë komisioni nuk u vota. Me ç’rast Kuvendi i ndërpreu punimet e seancës konstituive për të respektuar masën e Gjykatës Kushtetuese dhe për të pritur vendimin e saj. Se si do të mbyllet ky proces, që zgjati plot 167 ditë, fjalën e fundit pritet ta jep Kushtetuesja më së largu deri më 8 gusht.