Kastrati: Për Qeverinë, kushti i NISMËS tani për tani është që kryeparlamentari i tanishëm të mos jetë në krye të Kuvendit
Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka fituar pa balotazh garën për kryetar të Komunës së Malishëvës me 54% të votave.
Kundërkandidatët e Kastratit, Gëzim Krasniqi nga PDK ka marrë 19%, Valon Hoti nga LVV 15%, Fatmir Ademaj nga LDK 6.9%, Enver Hoti nga AAK 1.8% dhe Valon Krasniqi nga Partia GUXO 1.4%.
Në emisionin “Kallxo Përnime”, Ekrem Kastrati, kryetar i Malishevës, ka prezantuar projektet që premton se do t’i kryejë gjatë mandatit të ri, por është pyetur edhe për tema të nivelit qendror.
Në lidhje me një koalicion të mundshëm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për krijimin e Qeverisë së Kosovës, Kastrati tha se partia që ai i përket është në gatishmëri, ndërsa ka përmendur edhe një kusht, joklasik, siç e tha ai.
Kastrati tha se Nisma Socialdemokrate kërkon që kryeparlamentari i tanishëm, Dimal Basha, ta lirojë këtë pozitë pasi, sipas tij, Basha nuk përfaqëson interesin e qytetarëve dhe është jokredibil.
“NISMA ka pasur një qëndrim konstruktiv shumë parimor që të themelohen sa më shpejt institucionet e vendit, dhe kjo logjikë është edhe më tutje. Ne jemi gjithmonë në gjendje gatishmërie. Ne nuk kemi kushte, kushti është që kryeparlamentari i tanishëm të mos jetë në krye të Kuvendit sepse nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve dhe nuk është një kryeparlamentar kredibil. Nuk është kusht por është qëndrim. Megjithatë mbetet në dorën e kryesisë së qendrës që të bëjë planet dhe strategjinë që si të ecim përpara. Tani për tani nuk kemi qëndrim të qartë për ndarje të ministrive. Nuk kemi biseda tani për tani. Me rëndësi është që të gjithë liderët e partive politike të kenë një qëndrim konstruktiv”- tha ai.
Kastrati ka thënë që shumë projekte të Komunës së Malishevës janë penguar nga Qeveria e Kosovës.
“Ne kemi shumë projekte që na ka pengu Qeveria. Siç është uji i pijës, tranziti i qytetit, rryma dhe shumë të tjera që Komuna nuk ka buxhet por ka dhe pengesa ligjore. Neve na duhet përkrahja e Qeverisë për këto projekte”- tha ai.
Kryetari i Malishevës ka thënë se nuk është bërë asgjë në projektin e tranzitit të qytetit.
“Tranziti ka qenë i themeluar me kontratë, ministrisë dhe operatorit. Mirëpo atje nuk janë zhvilluar punime, Qeveria nuk ka marrë hapat konkretë. Asnjë kaci beton nuk është hedhë aty prej se ka ardhë kjo Qeveri. Kemi pasë takime të vazhdueshme. Ata janë lidhë për shpronësime që duhet në atë pjesë mirëpo as në këtë drejtim nuk është bërë asgjë”- deklaroi ai.
“Qytetari e vlerëson punën, korrektësinë, dinjitetin dhe bashkëpunimin. Andaj të gjitha këto kritere i kemi respektuar ne gjatë qeverisjes tonë”- ka thënë Kastrati i pyetur për “recetën” e fitores së tij pa balotazh në Malishevë.
Kastrati ka deklaruar se në mandatin e ri katërvjeçar do të vazhdojnë me pjesën e dytë të Malishevës Urbane.
“Në këtë mandat ne do të vazhdojmë në pjesën e dytë të Malishevës Urbane e që është shtrati i lumit Mirusha drejt liqenit artificial”- tha ai.
Ai ka premtuar ndërtimin e rrugëve të reja në Malishevë, të cilat do të jenë alternativa të reja por dhe mundësi për nxitje të investimeve.
“Ne kemi realizuar një projekt të jashtëzakonshem në Malishevë dhe ky qytet ka krijuar një reputacion të ri. I kemi disa rrugë që janë shumë të mira që do t’i ndërtojmë dhe që do të krijojnë alternativa të reja siç janë rruga që shkon nga Gjykata e del te Varrezat e Dëshmorëve, rruga te stadiumi që lidhet me segmentin që shkon për në Gurbardh, rruga prej lagjes së Veselajve që lidhet me rrugën e Malishevës në drejtim të autostradës, në drejtim të fshatit Banjë. Këto janë rrugë të cilat ne do t’i ndërtojmë dhe hapim alternativa të reja dhe mundësi të nxitjes së investimeve të reja në këto rrugë”- tha ai në “Kallxo Përnime”.
I pyetur se deri në sa kate do të lejojë ndërtimin e objekteve banesore në Malishevë, Kastrati tha se “më shumë se 12 kate nuk do të lejojmë”.
Kastrati në “Kallxo Përnime” ka thënë se Komuna e Malishevës ka rrënuar rreth 170 objekte të ndërtuara në pronë publike.
“Në katër vitet e fundit asnjë ndërtim pa leje nuk është legalizuar. Përkundrazi, objektet e ndërtuara në pronën publike, e që janë rreth 170, i kemi rrënuar. Komuna e Malishevës është komuna e parë që ka bërë një rrënim masiv të objekteve që kanë qenë të ndërtuara në pronë publike. Qytetarët e kanë vlerësuar shumë edhe pse fillimisht ka pasur sfida”- tha ai.
Kryetari i Malishevës ka thënë se ka nënshkruar një kontratë me humanistin Halil Kastratin për ndërtimin e një objekti për qëndrim ditor të të moshuarve dhe një objekti tjetër për qëndrim ditor të fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Javën që shkoi e kam nënshkruar një kontratë me humanistin e madh, Halil Kastrati, për ndërtimin e një qëndrimi ditor për të moshuarit tanë e që aty do ta kemi dhe kuzhinën humanitare. Afër këtij objekti përmes një marrëveshjeje me Halil Kastratin do ta ndërtojmë edhe objektin për fëmijët me nevoja të veçanta dhe nevoja të tjera”- tha ai.
Sa i përket mësimit gjithëditor, Kastrati tha që do të pilotojnë tri shkolla.
“Ne do të pilotojmë, se me premtu është diçka shumë e madhe sepse krijon shpenzime shumë të mëdha. Do të pilotojmë me disa shkolla që i plotësojnë kushtet, unë mendoj që shkojmë më tri shkolla” – tha ai.
Kastrati premtoi funksionalizimin e tri çerdheve të reja, në fshatin Bellanicë, Banjë dhe Dragobil, si dhe shtrirjen e rrjetit ekzistues të ujësjellësit.