Tenderi i dyshimtë për blerjen e kamionetave nga KRU Gjakova po hetohet nga Prokuroria Speciale
Një procedurë e dyshimtë e prokurimit është zhvilluar në një tender të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, për blerjen e dy kamionetave. Në tender ishte kërkuar që dritaret e kamionetave para dhe prapa t’i hapen në mënyrë elektronike. Në fund, kontrata në vlerë 75,680 euro i është dhënë kompanisë së vetme që kishte aplikuar në tender, dhe kishte ofertuar me kamioneta me dritare para që hapen në mënyrë elektronike dhe dritare prapa që hapen në mënyrë manuale.
Gjatë zhvillimit të procedurës së prokurimit, një kompani ishte interesuar për të ofertuar në tender. Kompania “Delfin-Auto” e ka pyetur KRU Gjakovën se a mund të ofertojë nëse dritaret e pasme e kanë hapjen në mënyrë manuale. Në përgjigjen e KRU Gjakovës ishte potencuar se dritaret duhet të jenë elektronike.
“Jo, xhamat duhet të jenë elektronike para dhe prapa siç është kërkuar në specifikacionin teknik”- thuhet në dokumentin “Informata shtesë” të publikuar te dokumentet e tenderit në fjalë në e-prokurim.
Pas kësaj përgjigje, e njëjta nuk kishte ofertuar në tender. Në fund, kontrata i ishte dhënë një kompanie që kishte ofertuar me dritaret e pasme që hapen në mënyrë manuale dhe jo elektronike, siç ishte kërkuar në tender.
Mënyra se si ka rrjedhë procedura ka bërë që ish-udhëheqësja e Prokurimit në këtë ndërmarrje ta refuzoj nënshkrimin e kontratës dhe e njëjta të nënshkruhet nga një zyrtare tjetër.
KRU Gjakova ka refuzuar kërkesën e KALLXO.com të datës 25.03.2025 për qasje në dokumente publike në lidhje me këtë tender, me arsyetimin se i njëjti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale. Po ashtu, KRU Gjakova nuk është përgjigjur në asnjë nga pyetjet që i ka nisur KALLXO.com për këtë rast më 28.05.2025. E Prokuroria Speciale e ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë nisur hetimet për këtë tender.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryeshefin e KRU Gjakovës, Hasan Krasniqi, për të marrë përgjigje në lidhje me tenderin e kamionetave por i njëjti nuk ka pranuar të deklarohet me të njëjtin arsyetim, se rasti është duke u hetuar rasti nga Prokuroria.
“Nuk mundem me të dhonë përgjigje, rasti është duke u hetuar” – ka thënë përmes telefonit Krasniqi më 18.07.2025.
Cilat ishin rekomandimet e dy Komisioneve vlerësuese?
Tenderi “Furnizim me dy kamioneta për nevojat e mirëmbajtjes” ishte hapur më 05.09.2024. Në arsyetimin e hapjes së tenderit, KRU Gjakova ka thënë se për shkak të mungesës dhe vjetërsisë së automjeteve ekzistuese për menaxhimin e defekteve në teren dhe zgjerimit të rrjetit të ujësjellësit, ka qenë e domosdoshme furnizimi me kamioneta të terenit.
Zyrtarët që ishin përcaktuar për vlerësimin e të vetmes ofertë që ishte pranuar në këtë tender, ishin Besnik Kusari – inxhinier në KRU Gjakova; Valon Gunga – shofer i kryeshefit; dhe Vlora Xhahnemi – zyrtare e prokurimit.
Në tender kishte ofertuar vetëm një kompani, “Auto Mita”, me çmim prej 75,685 euro. Gjatë vlerësimit të ofertës, është vërejtur që kjo kompani dritaret e kamionetave i kishte ofruar me hapje manuale nga prapa, e jo në mënyrë elektronike siç ka qenë e kërkuar në dosje të tenderit.
Sipas raportit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, anëtarët e Komisionit të vlerësimit, Besnik Kusari dhe Valon Gunga, kanë votuar që të shpërblehet me kontratë kompania “Auto Mita”, pasi që kanë konsideruar si devijim të vogël që dritaret prapa të jenë me hapje manuale, e jo elektronike. Ndërsa anëtarja tjetër e Komisionit, Vlora Xhahnemi, ka votuar që kjo kompani të eleminohet. Rrjedhimisht me dy vota ‘për’ dhe një ‘kundër’, Komisioni ka rekomanduar kompaninë “Auto Mita” për nënshkrimin e kontratës.
Por, udhëheqësja e Zyrës së Prokurimit në KRU Gjakova në atë kohë, Benita Syla, ka refuzuar që të miratojë rekomandimin e Komisionit.
Në arsyetimin që KALLXO.com ka siguruar, i cili i është drejtuar kryeshefit të ndërmarrjes, Hasan Krasniqit, Syla ka përmendur interesimin e kompanisë “Delfin-Auto” para hapjes së ofertave kur kishte pyetur se “a mund të jenë dritaret e pasme me hapje manuale”. Po ashtu, në këtë arsyetim përmendet edhe përgjigjja e KRU Gjakova që kishte thënë se dritaret në fjalë duhet të jenë elektronike, siç ishte kërkuar në tender.
Ajo gjithashtu ka përmendur faktin se kur kjo komapani ka kërkuar sqarime për rreth 8 pika të dosjes së tenderit, Syla i ka përcjellur ato tek njësia kërkuese e ndërmarrjes, të cilët kanë cekur se nga 8 pika, 6 prej tyre mund të ndryshohen, ndërsa dy jo. E njëra prej pikave që nuk mund të ndryshohen, sipas Raportit, ka qenë pikërisht kërkesa që dritaret para dhe prapa të jenë me hapje elektronike.
“Duke u nisur nga ky fakt që edhe pas kërkesës për sqarim nga një operator ekonomik, hapja e xhamave prapa ka mbetur e pandryshuar, ndërsa gjatë vlerësimit të ofertave, ani pse “Auto Mita” i ka xhamat me rrëshqitje manuale, nuk e kuptoj dhe nuk mund të pranoj një vlerësim të tillë të bërë nga anëtarët Besnik Kusari dhe Valon Gunga” – thuhet në raportin e zyrtares Benita Syla, drejtuar kryeshefit Hasan Krasniqi.
Kompania “Delfin-Auto” ka konfirmuar se përgjigja që ka marrë nga KRU Gjakova, se dritaret para dhe prapa duhet të jenë me hapje elektronike, ka ndikuar që në fund të mos ofertojë fare në këtë tender.
“Po, ka ndikuar që të mos ofertojmë. Po të ishin në dijeni se mund të kishim ofertuar me hapja manuale për dritaret prapa, sigurisht që do të kishim ofertuar”- kanë thënë nga kjo kompani për KALLXO.com.
Më pas, Benita Syla ka kërkuar formimin e një Komisioni të dytë vlerësues. Më 08.11.2024 është formuar edhe Komisioni i dytë për vlerësimin e ofertave. Në këtë Komision të emëruar kanë qenë Fatmir Ahmetxhekaj – inxhinier; Jetmir Jaha – përgjegjës për GIS dhe Meriton Zeka – zyrtar ligjor.
Në dokumentin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, shihet se ky Komision me vota unanime ka rekomanduar që t’i jepet kontrata kompanisë “AutoMita” edhe pse të njëjtit nuk e plotësonin kriterin që kamionetat edhe dritaret e pasme t’i kenë me hapje elektronike.
Në Raportin e rivlerësimit, Komisioni ka thënë se kjo kompani ka paraqitur prova se të gjitha kamionetat e kategorisë së njëjtë të markave, nuk posedojnë dritare me hapje elektronike prapa.
“Gjithashtu, edhe nga hulumtimet e vetë Komisionit është konstatuar se kategoria e kamionetave që është kërkuar në dosjen e tenderit, dritaret prapa nuk i posedojnë me hapje elektrike”- thuhet në konstatimin e Komisionit, që ka siguruar KALLXO.com.
Ky rekomandim ka kaluar dhe më 19.11.2024 është marrë vendim për të shpërblyer me kontratë kompaninë “Auto Mita”.
Në një përgjigje me shkrim, kompania “Auto Mita” që ka fituar tenderin, ka thënë se në asnjë mënyrë, sipas tyre, nuk kanë mundur të parashikojnë se a do të pranohet oferta e tyre apo jo. Sipas tyre, kamionetat e ofertuara janë sqaruar pranë KRU Gjakovës para nënshkrimit të kontratës, e të cilat më pas janë dorëzuar.
“Çdo komunikim me Autoritetin Kontraktues është nëpërmes kanaleve zyrtare, ne nuk kemi bërë ndonjë kërkesë për sqarim, vetëm kemi dorëzuar dosjen e tenderit në afatet e caktuara dhe është në dorën e Autoritetit Kontraktues të bëj vlerësimin e pranueshmërisë së specifikave dhe dokumentacionit”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Refuzimi i nënshkrimit të kontratës nga udhëheqësja e Zyrës së Prokurimit
Por udhëheqësja e Zyrës së Prokurimit në KRU Gjakova në atë kohë, Benita Syla, ka refuzuar nënshkrimin e kontratës, pikërisht për arsye se kompania e rekomanduar për kontratë nuk i kishte të dy palë dritaret me hapje elektronike, siç ishte kërkuar në tender.
“E vërtetë, unë nuk e kam nënshkruar kontratën lidhur me furnizim me kamioneta, arsyet mund t’i gjeni në raportin e vlerësimit dhe emailin e dërguar kryeshefit ekzekutiv. Të gjitha këto janë në Zyrën e Prokurimit”- ka thënë shkurtimisht Syla për KALLXO.com.
Një muaj pasi që është nënshkruar kontrata në mes të KRU Gjakova dhe “Auto-Mita”, në dhjetor të vitit 2024, kryeshefi i kompanisë, Hasan Krasniqi, ka vendosur që të mos ia vazhdojë kontratën e punës udhëheqëses së Zyrës së Prokurimit, Benita Sylës.
Në vendimin e datës 27.12.2024, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, nuk ceket ndonjë arsye se pse është vendosur që të mos i vazhdohet asaj kontrata.
“Andaj me këtë shkresë me keqardhje ju njoftoj se punëdhënësi ka vendosur të mos vazhdojë kontratën tuja të punës dhe këtë përputhje me në legjislacionin në fuqi mbi marrëdhënies e punës, ku parashihet që ndërprerja e Kontratës së Punës sipas fuqisë ligjore është paraparë që të ndodhë me skadimin e kohëzgjatjes së kontratës, andaj në pajtim me dispozitat ligjore të lartëcekura, punëdhënësi ka vendosur mos vazhdimin e kontratës së punës”- thuhet në vendimin e siguruar nga KALLXO.com.
Kontrata për blerjen e kamionetave më pas është nënshkruar me 27.11.2024 nga zyrtarja e prokurimit të ndërmarrjes KRU Gjakova, Alberije Mejzini. Në një përgjigje për KALLXO.com, Mejzini e ka pranuar se e ka nënshkruar kontratën, duke thënë se arsyeja që e ka nënshkruar është se udhëheqësja e Zyrës së Prokurimit në atë kohë, Benita Syla, ka qenë në pushim.
“Po, unë e kam nënshkruar, sepse ajo [Benita Syla] ka qenë në pushim. Për detaje e krejt dokumentacionin të lutem drejtohu te KRU Gjakova, aty i ke të gjitha” – ka thënë Mejzini përmes telefonit.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë se kjo prokurori është duke e hetuar tenderin e KRU Gjakova për blerjen e dy kamionetave, duke bërë të ditur se janë ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet.
“Në këtë çështje penale, hetimi është duke u zhvilluar për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar; Falsifikim i dokumentit zyrtar; dhe Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore apo tarifave akcizore”- ka bërë të ditur Luta për KALLXO.com.
Ajo ka thënë se për momentin Prokuroria nuk mund të ofrojë më shumë informata, për shkak të hetimit të rastit.
Zyrtarja e Prokurimit në KRU Gjakova, Alberije Mejzini, që e ka nënshkruar kontratën për kamionetat, e ka konfirmuar për KALLXO.com se është intervistuar nga hetuesia, por që nuk ka treguar se në çfarë cilësie, të dëshmitares apo të të dyshuarës.
