Fotografi gjatë aktiviteteve të fëmijëve të rikthyer, Foto: KALLXO.com
Europa dështon ta trajtojë riatdhesimin e luftëtarëve të huaj nga Siria
Qytetarët europianë mbesin të kurthuar në kampet dhe burgjet e Sirisë edhe disa vjet pas
rënies së ISIS-it, me qeveritë që po tregohen të avashta kur vjen puna te veprimi mbi
riatdhesimin. Ekspertët paralajmërojnë se mosveprimi nxit ekstremizmin dhe cenon
sigurinë afatgjate, teksa po rriten thirrjet për reagim të koordinuar europian
Në mars e sivjetmë, qeveria e përkohshme në Damask, nën udhëheqjen e presidentit
Ahmed al-Sharaa, nënshkroi një marrëveshje me Mazloum Abdin, komandant i Forcave
Demokratike Siriane, për ribashkimin e Sirisë. Edhe pas pothuajse katër muajsh, ende po
vazhdon procesi, dhe shumë çështje mbesin të pazgjidhura.
Njëri prej shqetësimeve të mëdha është fati i luftëtarëve të huaj të ISIS-it dhe i familjeve të tyre.
Të dy grupet po mbahen aktualisht në burgje dhe kampe të kontrolluara prej Administratës
Autonome në verilindje, por sfidë më vete është menaxhimi i këtyre qendrave. Burgjeve u
duhen standarde sigurie që Administrata Autonome nuk është se mund t’i ofrojë gjithnjë, dhe
gjatë viteve, shumë xhihadistë ia kanë dalë të arratisen. Njëherësh, kampet janë vende ku
ideologjia e “Shtetit Islamik” vazhdon të lulëzojë, duke u bartur te gratë dhe fëmijët, të cilët
vazhdojnë të jenë luajalë ndaj Kalifatit.
Kur të ribashkohet vendi, kontrolli kampeve dhe burgjeve pritet t’i kalojë qeverisë së Al-Sharaas.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, e ka adresuar njashtu këtë çështje, duke shprehur
përsëri përkrahjen e Turqisë për Damaskun – jo vetëm në lidhje me operacionet kundër ISIS-it,
por edhe për menaxhimin e ardhshëm të qendrave të mbajtjes ku po ndodhen ish-luftëtarët,
gratë dhe fëmijët.
Ama, çfarë duhet të bëhet me këta xhihadistë – dhe që është edhe më kritike, me familjet që
kanë ngelur në Sirinë verilindore? Sipas hulumtueses Tanya Mehra, ata duhet të riatdhesohen.
“Deri tani, vetëm një numër i vogël vendesh kanë riatdhesuar qytetarët e tyre; vendi i vetëm që
ka qenë relativisht aktiv në këtë aspekt është Iraku”.
Megjithatë, në mesin e mijërave personave që po mbahen në Al-Hol dhe në Al-Roj ka edhe
shtetas europianë. Një rast i ngjashëm është ai i Meriem Rehailyt, një gruaje 28-=vjeçare
italiane, e cila kishte udhëtuar në Siri më 2014 dhe ishte dënuar në mungesë më 2017 me katër
vjet burgim për rreshtim në radhët e një organizate terroriste.
Riatdhesimi, ngulmon Mehra, është qenësor, sepse Damaskut i mungon sistemi juridik penal.
Në të kaluarën, ka pasur diskutime për krijimin e një tribunali ndërkombëtar që të gjykoheshin,
së paku, luftëtarët, por propozimi asnjëherë nuk u materializua. Për më tepër, një tribunal i tillë
do të ishte alamet i kushtueshëm dhe do të mund t’i gjykonte vetëm ata me përgjegjësi të
madhe.
Për këtë arsye, riatdhesimi mbetet zgjidhja më realiste. “Disa vende europiane vazhdojnë të
procedojnë riatdhesimin, veçmas në rastet e grave dhe fëmijëve”, thekson Mehra. “Por në
përgjithësi, vendet po i bishtnojnë përgjegjësisë dhe po refuzojnë të marrin përgjegjësinë për
qytetarët e tyre”.
Roli i BE-së
Në nivel të Bashkimit Europian, përgjegjësia për gjykimin, riintegrimin dhe sigurinë e brendshme
bie mbi supet e shteteve anëtare, derisa Bashkimi Europian ka rol përkrahës dhe koordinues.
Këto janë kompetenca të ndara në fusha, si siguria, bashkëpunimi juridik dhe kontrolli kufitar.
Strategjia Anti-Terrorizëm e BE-së përfshin një mori programesh dhe agjencish që punojnë
bashkë me autoritetet kombëtare. Koordinatori Anti-Terrorizëm i BE-së u prin përpjekjeve
strategjike; Qendra Europiane Anti-Terrorizëm në Europol dhe Eurojust lehtëson bashkëpunimin
juridik dhe operacional; dhe Rrjeti i Ndërgjegjësimi ndaj Radikalizimit (RAN) promovon praktikat
e deradikalizimit në shtetet anëtare.
Megjithatë, mbetet jashtëzakonisht i vështirë sigurimi i informacioneve lidhur me përpjekjet e
fundit koordinuese në Bruksel sa i përket riintegrimit të luftëtarëve të huaj europianë. Mungesa e
përgjigjeve ndaj pyetjeve të drejtpërdrejta – ose refereimet e vazhdueshme të përgejgjësisë te
autoritetet kombëtare, qysh ka ndodhur me zëdhënësit e Koordinatorit Anti-Terrorizëm të BE-së
– sugjeron se çështja ose ka ngelur në nivel të ulët të agjendës së Brukselit, ose mungon fare.
“Në muajt pas rënies së Assadit, pranua e ish-luftëtarëve të huaj në radhët e ushtrisë së re
shkaktoi fërkim ndërmjet Damaskut dhe qeverive perëndimore”, shpjegon Silvia Carenzi,
hulmutese e lartë në ISPI. “Megjithatë, pas takimit Al-Sharaa-Trump në Riad, SHBA-ja dhe
vendet e tjera u duk se pranuan integrimin e luftëtarëve të huaj si qasje pragmatike për t’i
mbajtur ata nën kontrollin e administratës së re”.
Çështja vazhdon të mbetet e rëndësishme për presidentin Trump, i cili vazhdimisht ka theksuar
se Siria duhet të marrë hapa konkretë për të parandaluar ringritjen e ISIS-it dhe që të marrë
përgjegjësi për kampet dhe qendrat e mbajtjes në verilindje të vendit. Urgjenca e çështjes është
rritur javëve të fundit pas një deklaratë të ministrit të Brendshëm të Sirisë se nga kampi Al-Hol
kishin dalë dy anëtarët e celulës përgjegjëse për sulmin ndaj kishës së Damaskut, “Mar Elias”.
“Kjo spikat sesa urgjente janë bërë riatdhesimi i banorëve të huaj dhe zhvillimi i politikave
efektive të riatdhesimit”, ka thënë Carenzi.
E ardhme e paqartë
Por, a do të jenë të zonja vendet e BE-së kur vjen puna së paku te riatdhesimi dhe riintegrimi i
grave dhe të miturve në shoqëri? Sipas Claudio Bertolottit, ekspert për radikalizimin në ISPI dhe
anëtar Qendrës së BE-së për Njohuritë për Parandalimin e Radikalizimit, përgjigja është jo.
“Vendet e BE-së kanë përshtatur një qasje të mbyllur, sepse asnjë model riintegrues për
individët e radikalizuar, deri tani nuk është vërtetuar efektiv. Shumë metoda janë testuar, por
asnjëra nuk ka prodhuar rezultate bindëse”.
Në Itali, vë në pah Bertolotti, nuk ka program të strukturuar redakalizimi, meqë projekt-ligji i
vetëm për adresimin e çështjes, ka ngecur në Senat gjatë legjislaturave të 17-ta dhe të 18-ta.
“Sot, diskutimi ka devijuar nga derakalizimi te parandalimi i sjelljes së dhunshme. Përpjekjet
janë qendërsuar në qasjen që urrejtja të mos kthehet në veprim”.
Ai ka spikatur njashtu se individët e radikalizuar përbëjnë vetëm një hise të vogël të bashkësive
të tyre më të gjera dhe se të radikalizuarit gjatë adoleshencës nuk është e thënë
domosdoshmërisht që të mbesin të radikalizuar me kalimin e kohës. Kjo hedh dritë mbi nevojën
për ndërhyrje të shënjestruara në shkolla. “Zvicra, ta zëmë, po investon në trajnimin e
mësimdhënësve të kolegjeve shkollore profesionale që t’i ndihmojë që të identifikojë dhe
reagojnë ndaj shenjave të hershme të radikalizimit”.
Përtej BE-së, Kosova është shfaqur si një histori e rrallë suksesi në riatdhesimin dhe riintegrimin
e grave dhe të miturve nga Siria. Pas rënies së “Shtetit Islamik”, Kosova nisi procedurat e
riatdhesimit më 2019 dhe ka rikthyer 253 qytetarë të saj deri më 2022. Sipas autoriteteve, të
riatdhesuarit nuk paraqesin rrezik shoqëror, dhe riintegrimi i tyre është parë si masë kyçe për
parandalimin e përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm.
Me qëllim të lehtësimit të këtij procesi, Kosova ka krijuar një departament të veçantë që përfshiu
punëtorë socialë, personel shkollor, psikologë dhe shërbimet sigurie. Ofroi njashtu përkrahje
ekonomike, psikologjike dhe gjuhësor, sidomos për fëmijët të lindur e të rritur në Siri.
Të dhënat nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese tregojnë se programi ka qenë i
suksesshëm, me një hise të madhe të të dënuarve për terrorizëm, që nuk i kanë përsëritur të
njëjtat vepra penale.
Megjithëse misionet e BE-së dhe OKB-së në Kosova kanë shprehur shqetësime lidhur me
dënimet e vendimeve të disa dënimeve të lidhura me terrorizmin, pozitivisht është pritur
programi i përgjithshëm i riatdhesimit.
“Ky shkrim është prodhuar në kuadër të “Thematic Networks” të PULSE, nismë
europiane që përkrah bashkëpunimet gazetareske transnacionale”.
Nga anglishtja: Rexhep Maloku
(This article was produced as part of the Thematic Networks of PULSE, a European initiative that supports transnational journalistic collaborations.)