Diskutim në konferencën e BIRN: Ligjet mbrojnë të drejtat digjitale, por në rajon rrezikon të kthehen në mjet kontrolli
Në kuadër të konferencës së BIRN-it, dedikuar të drejtave digjitale dhe lirisë në internet, doli në pah një realitet i përbashkët në rajon: Ligjet mund të mbrojnë të drejtat digjitale, por mund të kthehen edhe në instrumente kontrolli.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese të martën, më 25.11.2025, organizoi ditën e dytë të konferencës treditore, dedikuar të drejtave digjitale dhe lirisë në internet si pjesë e raportit vjetor “Shkeljet e të Drejtave Digjitale 2024–2025”, me diskutime dhe trajnime që u fokusuan te presionet ligjore, politike dhe teknologjike që formësojnë hapësirën digjitale në rajon.
Dita nisi me panelin e diskutimit mbi Legjislacionin Digjital dhe Regjimet Hibride. Ky panel trajtoi mënyrën se si regjimet hibride në Europën Juglindore i shndërrojnë ligjet dhe rregulloret në mjete kontrolli, duke riformësuar hapësirat digjitale dhe kufizuar liritë qytetare.
Folësit diskutuan gjithashtu se si proceset e integrimit në BE ndikojnë në harmonizimin ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave digjitale në vendet kandidate.
Daniel Prroni, hulumtues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Shqipëri, theksoi se rajoni po miraton me shpejtësi legjislacion të frymëzuar nga BE-ja – shpesh i shtyrë më shumë nga kërkesa për afrim me Bashkimin Europian sesa nga kërkesa të brendshme demokratike.
Ai theksoi se adoptimi i shpejtë i legjislacionit të lidhur me digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale mund të jetë i dobishëm, por “rrezikon pasoja të paqëllimshme nëse nuk hartohet me kujdes”.
“Mjetet digjitale dhe të inteligjencës artificiale po përdoren gjerësisht në sektorë si shëndetësia dhe arsimi për të rritur efikasitetin, por ka shumë pak fokus në mbrojtjen e lirive – e kundërta e qasjes së balancuar të BE-së”, tha ai.
Prroni vuri në dukje se proceset e hartimit të ligjeve përjashtojnë aktorët kyç, duke minuar reformën e vërtetë: “Problemi kryesor me procesin është se po zhvillohet me dyer të mbyllura, pa përfshirjen e aktorëve të tjerë që mund të sjellin ekspertizë dhe perspektivën e tyre, kështu që në vend të reformës së mirëfilltë, shumica e ndryshimeve bëhen vetëm për të kënaqur kërkesat e BE-së”.
“Media online në Shqipëri ndihet e kërcënuar nga kapja e mundshme rregullatore, sidomos pas tentativave të mëparshme për rregullimin e përmbajtjes online.”
Ana Toskiq-Cvetanoviq, drejtoreshë ekzekutive e Partners Serbia, theksoi se kultura e dobët demokratike në Serbi mundëson shkelje të të drejtave digjitale dhe keqpërdorim politik të ligjeve.
Ajo përshkroi tre faza të abuzimit me ligjin: Zbatim selektiv, ku shkeljet serioze të të dhënave të qytetarëve shpesh mbeten të pandëshkuara, ndërsa ato që prekin zyrtarët publikë shkaktojnë reagim të menjëhershëm institucional.
“Reagimet e prokurorisë ndryshojnë skajshmërisht, varësisht nëse objektivi i kërcënimeve online është zyrtar qeveritar apo qytetar i zakonshëm, grua apo gazetar”, tha ajo.
Abuzim i pushtetit për përgjim dhe frikësim-ajo citoi rastin e përgjimit të paligjshëm të një deputetjeje opozitare para protestave masive, ku një takim privat u regjistrua dhe u publikua në tabloide.
“Një shembull i fundit është përgjii i paligjshëm i një deputetjeje të opozitës para protestës së madhe të marsit; zyrat e një partie opozitare u vunë nën vëzhgim, një video e një takimi u publikua, dhe më vonë u zbulua se vinte nga përgjimi i paligjshëm i telefonit të deputetes – pa asnjë bazë ligjore”, sqaroi ajo.
Ajo shtoi se aktivistët dhe gazetarët janë gjithashtu objektiv i spyëare-it të paligjshëm – dhe çdo përdorim i këtyre mjeteve është i paligjshëm në Serbi.
“Ndryshimet e fundit në Kodin Penal paraqesin vepra të reja që synojnë sjelljet online, përfshirë ato të lidhura me protestat. Edhe thirrja për të protestuar ose shpërndarja e materialeve informuese online mund të çojë në ndjekje penale”, u shpreh ajo.
“Këto ligje janë dizajnuar për vende me sundim të fortë të ligjit – kushte që Serbia nuk i plotëson.”
Orhan Sener Delliormanl, redaktor dhe trajner në InsideTurkey, shpjegoi evolucionin e autoritarizmit në Turqi përmes manipulimit të ligjit.
Ai tha se Turqia është një shembull interesant: “Ne po përjetojmë gjëra që SHBA-ja po i përjeton tani, ne i kaluam para 20 vitesh”.
“Fillimisht, qeveria luftoi kufizimet ligjore; më vonë e armatosi ligjin; sot, po vepron plotësisht përtej ligjit – duke e lënë legjislacionin thjesht fasadë”, tha ai.
“Vendimet gjyqësore, përfshirë ato të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, injorohen hapur kur bëhet fjalë për lirimin e figurave të opozitës të burgosur”.
Ai theksoi se ligjet për median dhe hapësirën digjitale përdoren për të gjobitur, heshtur apo mbyllur mediat, duke mundësuar censurë sistematike.
Labinot Leposhtica, drejtor i Zyrës Ligjore të BIRN Kosovë, vuri në dukje se Kosova qëndron në pozitë relativisht më të mirë për shkak të përputhshmërisë më të fortë me legjislacionin e BE-së, megjithatë disa probleme strukturore vazhdojnë.
“Kosova e ka një përafrim të fort me legjislacionin e BE-së, jo vetëm në të drejta digjitale, por edhe penale e civile, por a është kjo garancë që këto ligje do të zbatohen-absolutisht jo”.
“Fati jonë si një shtet i ri është që nuk jemi në fazë ku një ligj mund të mbisundohet siç ndodh në Turqi.”- u shpreh ai.
Leposhtica shtoi se kemi institucione garanuese siç është Gjykata Kushtetuese e cila “pavarësisht mospajitimeve, sulmeve në diskursin politik, vendimet zbatohen në tërësi”.
“Por, kur jemi te ligje fragmentare si mbrojtja e të dhënave personale, në Kosovë është një kushtëzim tjetër që e determinon në çfarë vëllimi do zbatohet ligi, nis nga resurset njerëzore dhe financiare”- shtoi më tej ai.
Leposhtica mori si shembull Agjencinë për Informim dhe Privatësi të cilës nuk po i alokohet buxheti i nevojshëm, duke ia zvarritur proceset.
“Nëse në fillim kishte efekt real me kërkesa të trajtuara brenda muajit, tani jemi në fazën ku kërkesat tona duhet të presin deri në 6 muaj, pasi përkundër kërkesave të vazhdueshme buxhetore, nuk i alokohet buxheti i kërkuar dhe ky është një mekanizëm shumë i sofistikuar i kontrollit që shteti e përdor në raport me të, formë qortimi e institucionit”- tha ai.
“Mund të mos i pëlqej institucioneve pasi janë gjobitur për shkelje të privatësisë edhe mos qasjes në dokumene publike. Ky është një rast kur ligji është aty, respektohet, por nuk e arrin qëllimin real”- shtoi ai.
Si shoqëri civile, Leposhtica shtoi se “kemi qenë shumë të zëshëm në të gjitha fazat e hartimit të ligjeve, por na përfshijnë në fazën fillestare, në fund legjislacioni ecë siç e përcakton vullneti politik dhe më pas përdoren si mjet për të ngushtuar të drejtat tona digjitale”.
Rasti i grupit në Telegram “Albkingz” ilustron, sipas tij, dështimin sistemik në drejtësinë digjitale:
“Mbi 100,000 persona krijuan një grup në Telegram për ndarjen e shantazheve dhe përmbajtjes degraduese ndaj grave dhe vajzave. Pas një hetimi të BIRN-it, gazetarja që e ekspozoi rastin u bë vetë objektiv i ngacmimeve në të njëjtin grup.”
“Rasti u hetua dhe në mes të hetimit, gazetares i vjen njoftim që të akuzuarit kanë arrit marrëveshje për pranim të fajësisë- që është mjet juridik i përafruar me legjislacionin penal të BE-së. E meta është që gazetarja nuk është njoftuar për sanksionin deri në shqyrtim gjyqësor, e që ka qenë disa qindra euro. Ligjërisht është brenda ligjit, por a e kemi arrit drejtësinë, absolutisht jo. Ky është një mekanizëm se si drejtësia mund të arrihet, por pa efekt real”- përfundoi Leposhtica.
Sipas të dhënave nga raporti, gjatë periudhës së monitorimit, gjithsej 1440 shkelje të të drejtave digjitale u regjistruan në të gjithë rajonin. “Shkeljet më të shpeshta lidhen me lirinë dhe pluralizmin e informacionit dhe me mbrojtjen nga manipulimi (356 raste, 24.7%), të drejtat ekonomike dhe mbrojtjen e pasurisë digjitale (348 raste, 24.2%), si dhe sjelljen kërcënuese dhe përmbajtjen e dëmshme (342 raste, 23.8%). Secila prej këtyre tre kategorive përbënte afërsisht një të katërtën e të gjitha rasteve, duke arritur së bashku rreth 73%, çka nënvizon përhapjen e vazhdueshme të këtyre shkeljeve të të drejtave digjitale”- thuhet ne raport.
https://kallxo.com/lajm/birn-publikon-raportin-vjetor-per-te-drejtat-digjitale-ne-ballkan-dhe-europen-juglindore/



