Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kush janë gratë që u emëruan drejtoresha në Ministri të Arsimit nga Qeveria në detyrë?
Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës, më 29.05.2025, dy gra u emëruan në pozita të larta drejtuese në institucionet që janë në kuadër të Ministrisë së Arsimit.
Besa Bytyqi-Baraliu u emërua drejtoreshë e Përgjithshme e Inspektoratit të Arsimit, kurse Fikrije Zymberi u emërua drejtoreshë ekzekutive në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për Të Rritur. Të dyja me mandat katër vjeçar.
Fikrije Zymberi gati për 8 vjet ka qenë ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional në bazë të vendimit të Ministrisë së Arsimit të datës 11.12.2017.
Në bazë të nenit 35 të Ligjit për Zyrtarë Publik nr. 08/L-197, ushtrues detyre nuk mund të caktohet zyrtari publik më gjatë se gjashtë muaj, ndërsa kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë muaj të tjerë.
Zymberi në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com tha se “në pajtim me legjislacionin për zyrtarët publik dhe legjislacionin për administratën shtetërore, për shkak të dështimit të konkursit paraprak, në pajtim me vendimin kam qenë e caktuar që të kryej detyrën e drejtoreshës së Agjencisë”.

Kurse, detyrën e drejtoreshës ekzekutive të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për Të Rritur, Zymberi ka thënë se e ka pranuar më 03.06.2025, përderisa ka aplikuar për këtë pozitë më 05.11.2024.
Zymberi ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik në UP, ndërsa në nivelin Master ka mbrojtur tezën mbi menaxhimin e AAP-së (Arsimit dhe Aftësimit Profesional) dhe lidhjen me tregun e punës.
Ajo ka treguar se ka përvojë 30-vjeçare, në të cilën përfshihet përvoja e saj 14-vjeçare mësimdhënëse në Shkollën e Mesme të Lartë Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë.
Sipas Zymberit, ajo ka qenë trajnere në Ndërmarrësi, pastaj për katër vite udhëheqëse e Divizionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Ministrinë e Arsimit; gjashtë vite menaxhere e MASHT-it për programin “Promovimi i Punësimit Përmes Zhvillimit të Biznesit dhe Aftësive”; anëtare e Komisionit Rekomandues në Qeveri për rekomandimin e kandidatëve për Anëtar të Bordit Mbikëqyrës “Trepça” sh.a.; si dhe ambasadore e Kosovës për Agjencinë Europiane për Siguri dhe Shëndet në Punë (EU-OSHA).
Pastaj, ka qenë anëtare e ekipit hartues dhe grupeve punuese të Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës PSAK (2022-2026); Këshillit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve; grupit të punës për përgatitjen e draft dokumentit të politikave dhe dispozitave ligjore për njohjen e përvojës dhe të mësuarit paraprak të mësimdhënësve të arsimit dhe aftësimit profesional.
Sipas Zymberit, numri i të punësuarëve në Zyren Qendrore të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional është gjashtë, ndërsa së bashku me qendrat e kompetencës në komuna janë gjithsejt 507 të punësuar.
Ndërsa, Besa Bytyqi-Baraliu ka qenë udhëheqëse e Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministri të Arsimit deri më 23.10.2023.
Kurse, më 24.10.2023 është transferuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) me Marrëveshje për interes të institucionit, e lidhur mes dy ministrive, asaj të Arsimit dhe MPB-së.
Deri në pranimin e detyrës së re, Bytyqi-Baraliu ka ushtruar funksionin e Udhëheqëses së Divizionit për Administrimin e Sistemit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, në Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në MPB.

Bytyqi-Baraliu përmes email ka thënë për KALLXO.com se kishte aplikuar për pozitën e drejtoreshës së Përgjithshme në Inspektorat të Arsimit, më 02.11.2024, ndërsa më 10.06.2025, e ka pranuar këtë pozitë.
“Fakti që kam aplikuar dhe jam nënshtruar të gjitha fazave të procedurës së rekrutimit tregon qartë qëllimin tim për t’u emëruar në këtë pozitë” – ka thënë Baraliu.
Besa Bytyqi-Baraliu ka përfunduar studimet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.
Ajo ka përvojë në gazetari dhe institucione të administratës shtetërore.
Para Bytyqi-Baraliut, në Inspektorat të Arsimit kishte qenë udhëheqëse e detyrës së drejtoreshës së Përgjithshme, Hidajete Vokshi.
Ndërkaq, më 04.09.2024, KALLXO.com ka raportuar për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashin, të cilin ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci e shkarkoi nga kjo pozitë me arsyetimin se emërimi i tij në këtë pozitë me afat të pacaktuar ishte i paligjshëm.
Konkursi për drejtor të përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit ishte shpallur më 03.10.2024, kurse konkursi për drejtor në Agjenci për Arsim dhe Aftësim Profesional ishte shpallur më 17.10.2024.