Foto: KALLXO.com
23 kandidatë për studentë të Fakultetit të Mjekësisë protestojnë para Ministrisë së Arsimit
23 kandidatë për t’u bërë studentë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, të shoqëruar nga prindërit e tyre, kanë protestuar sot, më 21.07.2025, para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Ata shprehën pakënaqësitë rreth gabimeve teknike dhe parregullsive, sipas tyre, gjatë provimit pranues të mbajtur më 12.07.2025.
Sipas protestuesve, testi ka përmbajtur pyetje të paqarta, gabime teknike në përpunimin e rezultateve, si dhe mungesë transparence në mënyrën e vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve.
Kandidatët për studentë dhe prindërit kërkuan përgjegjësi nga autoritetet dhe një rivlerësim të drejtë e të paanshëm të rezultateve.
Se pyetjet e testit kishin gabime këtë e pohon edhe mjekja e Patologjisë në QKUK, Blerina Pema.
“Parregullsitë kanë filluar që nga Testi i Maturës” – u shpreh Nedihe Gashi-Fejzullahu, mjeke e Pulmologjisë.
Ajo tha se i ka shkruar ministres së Arsimit në detyrë, Arbërie Nagavci, duke ngritur shqetësimin për parregullsitë që nga Testi i Maturës.
“Kësaj radhe, unë kam dorëzuar edhe një fakt që tregon një rast konkret të një nxënëseje e cila ishte pranuar në Fakultet por gjatë gjithë viteve të shkollës ishte me notën 2 në lëndën e Kimisë. Sipas të dhënave të provimit pranues, ajo ka bërë vetëm një gabim nga 50 pyetje aq sa ishin në provim pranues. Kjo është shumë e dyshimtë duke marrë parasysh nivelin e saj të mëparshëm akademik. Nxënësja në fjalë, sipas informacioneve që kemi, është përjashtuar nga shkolla, gjë që e bën edhe më të pakuptimtë pranimin e saj me një rezultat kaq të lartë në testin pranues” – u shpreh Gashi-Fejzullahu.
“Në këtë protestë paraqes shqetësimin lidhur me gabimet teknike dhe përmbajtjesore të provimit pranues në lëndën Kimi grupi B, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin tim dhe me kanë penguar që të jem e pranuar në Fakultet” – tha Rinesa Hasani.
Sipas saj, formulimi i pyetjeve nuk përputhej me opsionet e përgjigjeve, prandaj nuk e km plotësuar fare.
“Këto janë gabime që nuk duhet të ndodhin në një provim kaq madhor dhe vendimtar siç është Mjekësia. Këto gabime më kanë penalizuar në rezultat duke qenë se ndodhem vetëm 0,3% larg kufirit të fundit të pranimit. Kjo diferencë aq e vogël mund të ishte mbuluar lehtësisht nëse pyetjet problematike nuk do të ekzistonin, ose nëse do te ishin të formuluara si duhet. Për më tepër, përballja me pyetje të tilla gjatë testit më ka shkaktuar stres të panevojshëm, duke ndikuar negativisht edhe në fokusin dhe performancën në pjesën tjetër të provimit” – u shpreh Rinesa Hasani.
Përfaqësuesi Agron Qerimi, me profesion kardiolog, ishte i pranishëm në mbledhjen e mbajtur sot në MASHT,
Me kërkesën për shqyrtim, hetim dhe anulim të testit pranues, përfaqësuesi Agron Qerimi, me profesion kardiolog, është takuar me drejtoreshën e përgjithshme të Inspektoratit, Besa Bytyqi Baraliu, dhe inspektorin e Arsimit, Nebi Behluli.
Takimi ishte i mbyllur për media.
‘’Këtu ka elemente të shumta të abuzimeve, Prokuroria ka mekanizma me i zbulu ato. Ne si prindër jemi të shqetësuar shumë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë tutje” – tha Qerimi.
Kandidatët për studentë dhe prindërit e tyre thanë se rastin do ta procedojnë në Prokurori dhe Polici.
KALLXO.com ka raportuar ekskluzivisht për karantinën në të cilën ishin futur profesorët që kanë përpiluar pyetjet e testit për Fakultetin e Mjekësisë.